
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka mbledhur paraditen e së hënës në ambientet e Kuvendit, kryesinë e grupit. Ndër të tjera, mësohet se Balla ka udhëzuar të pranishmit që të vihen në punë për ndryshimet kushtetuese, për zgjatjen e mandatit të organeve kualifikuese të procesit të vetingut.
Në seancën e fundit në parlament, ministri i emëruar i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se po punohet me partnerët për zgjatjen e afatit të organeve të vetingut, që skadon qershorin e ardhshëm.
Për këtë, nevojitet një tjetër ndërhyrje në Kushtetutë, për të cilën mazhorancës i duhen edhe votat e demokratëve.
Ftesa e Qeverisë për bashkëpunim me opozitën për zgjatjen e afatit të organeve të vetingut, mori përgjigje brenda pak orës.
Ministri i Drejtësisë ishte i qartë se i nevojiten votat e demokratëve për të ndërhyrë në afatin e caktuar kushtetues, që përkon me qershorin e ardhshëm, por nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, i rikujtoi mendimin e kundërt të Komisionit të Venecias.
“Është një proces i cili po mbetet në mes të rrugës sepse ju e llogaritët gabim, po përfundon afati kushtetues që e përcaktoi Venecia, që tha që duhet të ishte i shkurtër. Ishit të pazotë që ta arkitektonit një reformë drejtësie të thjeshtë dhe funksionale”, deklaroi Bylykbashi në foltoren e Kuvendit. (A2 Televizion)