Përmes 5 propozimeve të tij, Lulzim Basha, tashmë si kryetar i Partisë Demokratike, është i bindur se do të ndryshojnë rrënjësisht sistemin politik që në zgjedhjet e ardhshme. Në 2 shtator, PD-ja e drejtuar prej tij do të mbledhë Kuvendin Kombëtar, e sipas Lulzim Bashës, aty do të merren vendime të rëndësishme për partinë, që kanë të bëjë me të ardhmen e saj, forcimin dhe modernizimin. Në një kohë kur vetë PD-ja është e përçarë, Basha flet për shumicë në Kuvend, për të bërë ndryshime Kushtetuese.
“Në 2 Shtator Partia Demokratike mbledh Kuvendin Kombëtar për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen, forcimin dhe modernizimin e saj. Me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike të Qarkut Fier, nisëm përgatitjen për hapat e radhës që do ta kthejnë forcën tonë politike në zërin e qytetarëve të cilët kërkojnë ndryshimin dhe një alternativë më të mirë që të sfidojë qeverinë e korruptar të Edi Ramës.
Partia Demokratike mundet dhe do ta bëjë këtë, duke u bashkuar përmes vlerave dhe ideve, në Aleancën Qytetare për Demokracinë, nëpërmjet së cilës mund të formojmë një shumicë që tejkalon ndarjet politike, për të bërë ndryshimet kushtetuese që u japin forcë dhe pushtet qytetarëve.
Listat e hapura;
Vetting-u në politikë;
Kufizimi i mandateve;
Vota e diasporës;
Zgjedhja e Presidentit nga populli.
Përmes këtyre propozimeve, të mbështetura gjerësisht nga qytetarët, ne mund ta ndryshojmë rrënjësisht sistemin politik, duke bërë të mundur që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë thjesht rotacion, por një ndryshim të vërtetë, ashtu siç shqiptarët presin e meritojnë”, shkruan Basha.
Ky reagim vjen në një kohë kur Sali Berisha ka thirrur Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. (A2 Televizion)