“Media duhet të ketë fuqinë e së vërtetës, të largpamjes dhe të frymëzimit si shumë simotra të saj me traditë demokratike. Është koha. Është mundësia. Ekziston edhe mbështetja. Të jeni frymëzues, referencë cilësie për të rinjtë që angazhohen me lajmin e median, dhe të arrini fuqinë e rolit që ju takon!”. Këtë mesazh u përcolli presidenti i Republikës Bajram Begaj gazetarëve në ceremoninë e organizuar në presidencë teksa shprehu mbështetjen ndaj tyre.
“Përveçse pushteti i katërt, media është mision. Unë dua të shpreh mirënjohjen time për ju dhe të gjithë ata që i përkushtohen këtij misioni. E di që profesioni juaj ka vështirësitë e veta, që janë jo vetëm sfida profesionale, por kanë të bëjnë dhe me sigurinë ekonomike e kushtet e ushtrimit të profesionit tuaj. Tek unë dhe institucioni i Presidentit të Republikës do të gjeni dëgjuesin e kujdesshëm dhe gatishmëri për mbështetjen që profesionistët e medias të kenë trajtimin, mirënjohjen dhe siguritë që meritojnë. Ju keni fuqinë e prezantimit të realiteteve të cilat mund t’i njohim më mirë e më ndryshe veçanërisht prej jush. Për këto realitete, cilat do qofshin ato, e sidomos për sa i përket veprimtarisë sime dhe Institucionit të Presidentit: Ju siguroj se nuk do të ketë kërkesa të asnjë lloji për kohën dhe mënyrën e paraqitjes së tyre. Detyra jonë është t’ju ofrojmë gjithë informacionin dhe mbështetjen që e kërkon ligji, demokracia, dhe angazhimi qytetar”.
Por kreu i shtetit foli me rezerva sa i takon nivelit mediatik nga lajmi i rremë tek fjalori pa asnjë lloj filtri cilësie.
“Më lejoni të shpreh një shqetësim që e ndaj me shumë shqiptarë të brezave të ndryshëm. Hapësira jonë mediatike nuk është në nivelin të cilin e kërkon shoqëria shqiptare. Shumë shpesh mediat, shndërrohen në fushë-betejë politike, ku çdo gjë është e mundur, që nga lajmi i rremë tek fjalori pa asnjë lloj filtri cilësie. Kritika e risitë e sjella nga mediat e rrjetet sociale mund të jenë udhërrëfyese të shoqërisë drejt arritjeve të saj. Por, është e trishtë kur kjo mundësi shfrytëzohet për të përhapur baltën e ambicieve të vogla të kujtdo ka llogari të hapura, me histori personale, ose me historinë a drejtësinë e këtij vendi”. (A2 Televizion)