Nga burgu, Fredi Beleri ka dhënë sërish një intervistë për mediat greke, ku ka hedhur akuza për kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, është Rama ai që e ndalon që të marrë detyrën si kryebashkiak i Himarës, pasi ka nën kontroll të gjitha institucionet, përfshirë këtu, thotë Beleri, edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
“Ndalimi im është i paligjshëm, por ajo që është krejtësisht e paligjshme përtej çdo dyshimi është që më pengon të marr detyrën, më pengon të bëj betimin dhe kjo është përgjegjësi e kryeministrit shqiptar. Kur thotë se është çështje drejtësie, gënjen sepse drejtoria e përgjithshme e burgjeve kontrollohet nga Rama, ndaj mund të më japë leje të bëj betimin. Synimi i kryeministrit shqiptar nuk është të marrë detyrat”, tha ndër të tjera Beleri.
Ai pati një falënderim për politikanët grek që morën pjesë në tubimin e organizuar një ditë më parë, në mbështetje të tij.
Ndërkohë, sot ka pasur një reagim të ashpër nga kryeministri Edi Rama. Në një postim të gjatë për profilin e tij në Facebook, Rama tha se “ngjarje të tilla mund të sjellin pasoja regresive në rindezjen e toneve nacionaliste dhe urrejtje ndërmjet dy vendeve”, duke e konsideruar unikale në historinë e Europës organizimin e një proteste të tillë e ku në mbështetje u panë edhe kryebashkiakë grek.
Dje ishte afati i fundit që Beleri të betohej për të marrë detyrën si i zgjedhur për të drejtuar Bashkinë e Himarës. Tashmë, e ardhmja e tij është e paqartë. (A2 Televizion)