Ashtu siç ishte paralajmëruar, është zhvilluar këtë të hënë protesta në Himarë kundër arrestimit dhe mosbetimit të Fredi Belerit si kryebashkiak.
Protesta është zhvilluar para zyrës së Omonia-s, ku nuk ka munguar dhe prania e dhjetëra televizioneve greke të cilat kanë ndjekur që prej majit çështjen e arrestimit të kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, i cili u kap nga policia e qytetit bregdetar për shit-blerje votash.
Në përgjigje të këtij manifestimi, është organizuar edhe policia e Vlorës, si edhe forcat e rendit dhe FNSH në Himarë. I pranishëm në protestë është edhe ish-ministri Ylli Manjani, si dhe kreu i kreu i PBDNJ, Vangjel Dule.
Fredi Beleri u arrestua vetëm dy ditë para zgjedhjeve, nën akuzë për blerje votash, pas publikimit të disa videove dhe audio përgjimeve. Pjesë e këtij tubimi ishin dhe kryetarët e Bashkive të Athinës, Selanikut dhe Korfuzit.
Kujtojmë se sot është dita e fundit e afatit për betimin e kryebashkiakut Beleri.
Athina zyrtare prej kohësh ka kërkuar lirimin e Fredi Belerit nga burgu, duke “kërcënuar” se kjo çështje mund të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe procesion e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. (A2 Televizion)