Betejat në Kukës, Has e Tropojë, të majtët kërkojnë të ruajnë bastionet e djathta

Nga A2 CNN
8 Maj 2023, 14:28 | Politikë

Qarku verilindor është më i varfëri në vend dhe është ai që ka ndjerë shpopullimin më të madh në këto vitet e fundit. Sfidat për banorët, por dhe qeveritë lokale, janë shumë të mëdha.

Në këto 3 dekada të demokracisë në vend Kukësi ka qenë një bastion i demokratëve dhe është qeverisur prej tyre, me përjashtimin e këtij 4-vjeçari që bashkinë atje e drejton Safet Gjici. Socialistët janë munduar që ta fitojnë ndër vite këtë bashki, ndërsa bojkoti i opozitës në zgjedhjet e 2019-ës ia mundësoi Gjicit të ulej në karrigen e kryebashkiakut. Në zgjedhjet e 14 majit ai garon për mandatin e dytë, ndërsa përballë ka mjekun Admir Sinamati, nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Po ashtu në Kukës është edhe një kandidat tjetër, Abedin Oruçi i një partie të vogël.

https://youtu.be/AtiZzKiShO8

Qarku i Kukësit po përjeton një shpopullim të shpejtë dy vitet e fundit pas pandemisë, por pas qëndrojnë arsye me sfond ekonomik. Niveli i varfërisë në rang kombëtar ishte 12,3 për qind më 2012, ndërsa në qarkun e Kukësit 22.5%.

Rruga e Kombit apo edhe Aeroporti nuk kanë sjellë zhvillim, ndërsa qarku verior është futur në rreth vicioz ku të rinjtë vetëm largohen nga varfëria. Muajt e fundit problem i madh ka qenë ikja me gomone drejt Britanisë çka ka sjellë edhe një shqetësim për qeverinë e Londrës, ndërsa Ambasada Britanike në Tiranë ka nisur një program me qëllim mbajtjen atje të të rinjve. Kukësi po ashtu është i vetmi qark pa arsim profesional në vend, që mund ti orientonte të rinjtë drejt një zanati apo profesioni për të ardhmen. Por si vjen kjo fushatë dhe kë do të votojnë banorët atje në 14 maj me gjithë këtë situatë komplekse?

Këputesh, dërrmohesh, tan ditën e gjatë, pesë lekë t’paguejnë, “Kaq – thonë – jepka vendi

Havzi Nela për Kukësin, viti 1987

Sot revolta dhe rebelimi për keqpaguarjen e punës nuk shprehet më me poezi në Kukës, por me braktisje të vendit. Gjatë bisedave me qytetarët dhe sipërmarrësit të ndodh të dëgjosh shpesh se koha ndahet në epokën para dhe pas gomoneve. Kështu u referohen largimeve masive të të rinjve kuksianë, ilegalisht, drejt Britanisë së Madhe. Pas gomoneve, koha ecën më ngadalë se kurrë për të moshuarit, për pensionistët.

Largimin e fëmijëve të tyre e shohin si qetësim të stomakut, por edhe si dhimbje të vazhdueshme të shpirtit. “Nuk jemi keq jo” është fjalia e parë që thonë, se nuk janë mësuar të ankohen, por më pas, duke iu dridhur zëri flasin për shpopullimin, varfërinë, shërbimet e munguara, jetesën që bëhet ccdo ditë e më e vështirë.

Ndërsa si “të varfër” kanë marrë rrugët e emigrimit, të rinjve iu bëhen thirrje nga kandidatët për kryetarë bashkie, që të kthehen si “të pasur” në Kukës dhe të investojnë në turizëm, në tokat e tyre. Si kurrë më parë pjesë e takimeve elektorale u bë edhe Londra.

3 kandidatë për Kukësin

Do të ndihmojmë bizneset, do thithim investime të huaja, do përmirësojmë infrastrukturën rrugore, do e bëjmë Kukësin atraksion turistik… me premtime të ngjashme hyjnë në garë për zgjedhjet vendore të 14 majit, 3 kandidatë për bashkinë më të madhe në qarkun e Kukësit.

I pari në fletën e votimit renditet Abedin Oruçi. Partia për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë. Por gara e fortë ndahet mes dy kandidatëve. Doktor Admir Sinamatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” që kërkon jo vetëm të ulet vetë për herë të parë në karrigen e kryetarit, por edhe ta rikthejë bashkinë e Kukësit blu si para 4 viteve.

Partia Socialiste ka rikonfirmuar si kandidat drejtuesin aktual të bashkisë, biznesmenin Safet Gjici. Rreth 43 mijë votues janë të thirrur të zgjedhin mes këtyre alternativave për punët në bashkinë që shtrihet në 933.8 km katror dhe banohet, sipas regjistrit civil, nga më shumë se 59 mijë banorë.

Gjici: Qytetarët duan njerëzit e punës, jo kandidatët e importuar

“Kemi përgatitur kontratën tonë me banorët e Kukësit për të përmirësuar jetën e qytetarëve të bashkisë. Këtë kontratë e ka çdo qytetar në shtëpi. Sot të gjitha premtimet i kemi mbajtur dhe kemi bërë më shumë. Në Kukës kërkohen rrugë, investime në çerdhe, shkolla, rrugë. Qytetarët kuksianë e prekin ndryshimin, qoftë në pastrim, në investime. Aeroporti do t’i sjellë një zhvillim makro të gjithë qytetarëve. Efektet e aeroportit po ndjehen, por për 2-3 vite aeroporti do ketë ndikim direkt në xhepat e qytetarëve”, tha Gjici në një intervistë ekskluzive për A2 CNN.

Në lidhje me një nga plagët e shoqërisë shqiptare, e cila është ajo e largimit të të rinjve, Gjeci u shpreh se në Kukës nuk ka një shpopullim, por thjesht një emigracion të shtuar. Ai u angazhua për investime edhe në zonat më të thella për të përmirësuar jetesën e qytetarëve, teksa foli dhe për programin e qeverisë britanike, i cili aktualisht ka punësuar sipas kryebashkiakut mbi 100 të rinj.

Sa për rivalin, Gjici deklaroi se kuksianët nuk pranojnë më njerëz të importuar nga Tirana që nuk jetojnë në qytet dhe nuk njohin problemet e tij, ndërsa e thumboi atë duke thënë se bën premtime të parealizueshme. “Kandidati i opozitës është jashtë realitetit, nuk ka program, bën premtimet që nuk mund të bëhen. Premtimet e tij nuk i beson asnjë fëmijë. Kuksianët nuk do të shkojnë më mish për top. Raportet në SPAK për Gërdecin, Sinamati i ka mbi shpinë, ne i dimë, Shqipëria është e vogël. Kuksianët kanë parë ndryshime të mëdha, ne jemi njerëz të punës”, përfundoi kryebashkiaku aktual, teksa u shpreh i sigurt në fitoren e 14 majit.

https://youtu.be/QYaYwz7DyJ0

Mjeku që synon të “shërojë plagën e madhe” të Kukësit

Admir Sinamati, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Kukësit, me profesion mjek, u shpreh në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN se plaga më e madhe e qytetit, të cilin ai synon ta drejtojë, është largimi i të rinjve. “Kukësi ka nevojë imediate për frenimin e shpopullimit. Nuk jemi në kushtet e një emigracioni masiv, por jemi në kushtet e shpopullimit. Në çerdhe, në kopshte, mungojnë fëmijët. Kjo nuk ka të bëjë me emigracion, por jemi përballë shpopullimit. Misioni bazik i çdo njeriu të përfshirë në jetën publike e ka detyrë që të ndikojë pranë njerëzve që me prezencën dhe me përfshirjen në politikë të ndërpresë këtë fenomen dhe të krijojë mjedise për ripopullimin e kësaj treve”, tha Sinamati.

Por si mund të “shërohet kjo plagë”?

“E para, është krijimi i klimës normale politike, publike, në institucionet shtetërore dhe ato të pushtetit lokal. Në Kukës ka kohë që njerëzit profesionistë dhe ata që mund të përballen me realitetin me dijen e tyre detyrohen të largohen sepse e gjejnë të pamundur integrimin. Ne do të synojmë të rikthejmë në Kukës njerëzit e sapo diplomuar dhe të arsimuar dhe për të drejtuar në karrige njerëzit e duhur”.

Ai ngre akuza për një klimë terrori dhe frikë te punonjësit e administratës. “Kukësi gjendet në një fushatë tmerrësisht të ndryshme nga ato të kaluarat. Kurrë nuk ka pasur një klimë të tillë politike në përgjithësi. Ajo që duket qartë është klima e terrorit, klima e frikës, e survejimit të gjithçkaje që ka lidhje me kundërshtarët e regjimit”.

https://youtu.be/0gpsB_OygZU

Tropoja, demokratët presin rikthimin, socialistët luajnë me kartën e qeverisë

Tropoja, xhevahiri i alpeve shqiptare, në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, na kthen faqen tjetër për të parë realitetin, jo me sytë e turistëve, por me sytë e atyre banorëve, të cilët kanë mbetur pa u larguar.

Shpopullimi, klima e vakët e biznesit, mungesa e fuqisë punëtore, varfëria dhe shumë problematika të tjera rëndojnë jetesën e tropojanëve, duke i bërë ata pesimistë dhe mosbesues te politika.

Me riorganizimin e institucioneve si gjykata, kadastra, paraburgimi etj., qytetarët duhet të udhëtojnë tre orë, të kalojnë dy dogana në hyrje e dalje të Kosovës për të shkuar vetëm për një dokument deri në Kukës.

Izolimi gjeografik, por edhe në shërbime i nxit jo vetëm të rinjtë, por edhe prindërit e tyre të shohin për mundësi largimi nga qyteti. Ndërsa të moshuarit përpiqen të mjaftohen me pensionin dhe ndihmat nga fëmijët emigrantë.

Bashkia e Tropojës shtrihet në 1057 km katrorë dhe ndahet në 8 njësi administrative. Regjistri civil raporton për rreth 28 mijë e 200 banorë, ndërsa lista e votuesve përmban 21 mijë e 376, ku siç dihet përfshihen edhe emigrantët.

Qytetarët kanë mundësinë të zgjedhin mes dy kandidatëve për kryetar bashkie të provuar. Në garë janë ish-kryebashkiaku nga zgjedhjet e vitit 2015 dhe ish-deputeti i PD, Besnik Dushaj, me mbështetjen e koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe kryebashkiaku aktual Rexhë Byberi që kërkon mandatin e dytë nën siglën e Partisë Socialiste.

Të dy i njohin vetes atribute kryesisht për investime në infrastrukturë, por thonë se kanë projekte të lëna përgjysmë për realizimin e të cilave kërkojnë votën edhe për 4 vite të tjera.

Kryefjala edhe në premtimet e tyre është Tropoja turistike, që deri më tani është asociuar me Parkun Kombëtar të Valbonës, por të dy këmbëngulin se bashkia është e pasur edhe me shume thesare të pashfrytëzuara turistike.

Thembra e Akilit për Bashki të vogla si Tropoja është mbështetja nga qeveria për investime domethënëse. Fokusi është tek furnizimi me energji elektrike pa ndërprerje, sistemi vaditës dhe asfaltimi i rrugëve në zonat e thella.

Turizmi dhe as ekonomia nuk mund të zhvillohet pa kapital njerëzor të kualifikuar ose jo. Pyetja më e vështirë për dy kandidatët është se si do frenojnë shpopullimin dhe se si do i joshin tropojanët të kthehen në trojet e tyre.

Ndërsa fushata për zgjedhjet vendore të 14 majit vazhdon, banorët e Tropojës kanë mundësinë të zgjedhin jo vetëm programin më të mire e më realist që jep zgjidhje afatgjata dhe jo vetëm momentale. Kanë në dorë të zgjedhin kryebashkiakun që iu ka shërbyer më me efektivitet në të shkuarën.

https://youtu.be/0pXvOI7io-g

Hasi, Londra e vogël me probleme të mëdha

Përtej Drinit të Bardhë, në qytetin e Hasit, ëndrrat e mëdha për një jetë më të mirë nuk flasin më shqip. Emërtimet e bizneseve të vogla i thurin lavde në veçanti Britanisë së Madhe, ndërsa xhiroja nëpër rrugën e mes përmes qytetit shijon ndryshe në një makinë me targa angleze. Gati-gati të dhuron dhe një status.

Realiteti i gjithëpranuar i familjeve hasjane është të jetuarit të shpërndarë nëpër botë. Të moshuarve, që nuk e braktisin Hasin deri në vdekje, sikurse shprehen, iu lexohet ndër rreshta një miksim ndjenjash kur tregojnë për fëmijët që jetojnë në Angli, Francë, Gjermani, etj. Përveç mallit dhe dhimbjes, shprehin dhe një dozë krenarie që bërtet “Djali apo vajza ime ia doli”.

Regjistri civil dëshmon për një popullsi prej 21250 banorësh në 4 njësitë administrative të Hasit. Sa prej tyre kanë emigruar nuk dihet saktë. Emërues i përbashkët i largimeve, sidomos te të rinjtë, është varfëria, që rrjedh nga problematika që rëndojnë njëra-tjetrën. Ndër të paktat raste të rikthimit në Has është një mësues gjimnazi dhe vëllai i tij që prej 6 vitesh jetonte në Gjermani.

Hasi nuk është vetëm shëtitorja e qytetit, ku ekspozohen makinat me targa të verdha, por shtrihet në rreth 400 (399.62) km katror, dhe ata pak banorë që kanë mbetur nëpër fshatrat e thella duhet të presin me orë të tëra për një mjet transporti që i çon drejt qendrës për të marrë ndonjë shërbim në institucione.

Këtij realiteti, i kanë nxjerrë gjoksin para dy kandidatë për kryetarë bashkie në zgjedhjet vendore të 14 majit. I besuari i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Miftar Dauti, po e zhvillon betejën e tij në një fushëbetejë të ngjyrosur rozë të paktën që prej vitit 2015. Kandidati socialist Beqir Mulaj, nga ana tjetër, kërkon të ulet për herë të parë në karrigen e kryetarit të Bashkisë Has. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos