Nuk ka paqe as në parlament, pa dakordësi për “Territorialen”, PD bllokon foltoren

Nga Nertila Dosti
23 Korrik 2026, 19:08 | Politikë

Mazhoranca dhe opozita nuk gjetën dakordësi për reformën territoriale. Opozita bllokoi disa herë foltoren, duke bërë që seanca të ndërpritej herë pas here. Nuk munguan as rastet kur demokratët tentuan të hidhnin sende drejt ulëseve të anëtarëve të qeverisë.

Nën masa shtesë të policisë, deputetët vijuan seancat plenare, ku debati nuk u zhvillua vetëm mbi protestën që mbahej jashtë.

Mazhoranca në seancë plenare refuzoi kërkesën e Partisë Demokratike për të shtyrë me tre muaj afatin e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale.

Demokratët shpjeguan se komisioni nuk ka mbyllur ende konsultimet dhe deri në tetor, sipas tyre, ka kohë mjaftueshëm për një hartë të re të dakordësuar.

Për socialistët, kërkesa është e vonuar, sepse afati i komisionit tashmë ka skaduar më 15 korrik.

Socialistët ndryshuan rendin e ditës të seancës, duke përfshirë prezantimin e raportit të ekspertëve të tyre për ndarjen e re, por PD bllokoi foltoren për të mos e lejuar.

Gjatë ndërprerjeve të njëpasnjëshme të seancës, PD shpjegoi se çdo raport i padiskutuar në komision është i jashtëligjshëm, ndërsa PS e konsideron si propozim të grupit të saj parlamentar.

Ardhja në seancë e Edi Ramës acaroi më shumë situatën, me demokratët që hodhën ujë dhe kartonat e votimit në drejtim të Kryeministrit, ndërsa PS kërkoi kalimin në votim të rendit të ditës, çfarë i dha fund seancës.

Kjo e enjte nuk do të jetë përballja e fundit mes mazhorancës dhe opozitës, pasi për këtë legjislaturë u miratua dhe një seancë shtesë për në 30 korrik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos