
Rinis me debate dhe bllokim të foltores seanca plenare, ndërsa në sallë shkoi dhe Kryeministri Rama. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi u detyrua të ndërpresë seancën për të disatën herë. Më herët, mazhoranca rrëzoi me votë kërkesën e demokratëve për të zgjatur me tre muaj afatet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.
Taulant Balla ua bëri të qartë se komisioni e ka përfunduar funksionin dhe se treni për demokratët ka ikur.
Ndërkohë, jashtë sallës së Parlamentit, protesta qytetare u shoqërua me tensione dhe përplasje me policinë, e cila përdori edhe gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën. Si pasojë pati të lënduar mes protestuesve dhe policisë.
Zëvendësministri Lamallari mohoi akuzat e opozitës se ndaj protestuesve është përdorur dhunë dhe lëndë e rrezikshme kimike. Perimetri i sigurisë këtë herë ishte vendosur në një hapësirë më të madhe, duke garantuar hyrjen e sigurt në sallë të deputetëve. Por, megjithatë, pati automjete që nuk i shpëtuan vezëve. (A2 Televizion)