Parlamenti në shtetrrethim, qytetarët në protestë. Policia u përgjigjet me ujë dhe gaz lotjellës

Nga Anesti Barjamemaj
23 Korrik 2026, 18:02 | Politikë

Tubimi i njoftuar nga protestuesit për në 23 korrik kishte alarmuar policinë, që kishte marrë masa më të shtuara këtë herë. Perimetri i sigurisë ishte zgjeruar dhe orari i dislokimit të bluve ishte bërë që në orët e para të mëngjesit.

Para se të mbërrinin protestuesit, blutë u përballën me qytetarët. Nga Rruga e Elbasanit, Shkolla Ekonomike, Ushtari i Panjohur, pendonalja e deri te Ministria e Brendshme, e gjithë zona ishte e rrethuar këtë të enjte, shkruan A2.

Protestuesit nisën të mbërrinin rreth orës 9, ku dhe u përballën me gardhet e efektivëve, ndërsa deputetët gjetën rrugë të tjera për të shkuar në seancë. Tubuesit ishin përgatitur me arka me vezë dhe domate, që shpesh me breshëri i hidhnin në drejtim të mjeteve të deputetëve.

I njëjti veprim u përsërit dhe ndaj uniformave blu.

Kur ora e seancës plenare po afronte, përgjigjja nga ana e policisë ishte e menjëhershme: Minuta të tëra ujë me presion dhe gaz lotësjellës ndaj qytetarëve. Për ata që ishin më afër, u përdor spraj me piper.

Ndërsa përballja vijonte në terren, në Kuvend përplasja ishte po mbi protestuesit. Opozita akuzoi se mbi tubuesit u hodhën lëndë kimike të palejuara, duke iu referuar këtyre pamjeve në të cilat uji ka një ngjyrë ndryshe nga herët e tjera. Por, ministri i Brendshëm dha këtë qëndrim për lëndët kimike të përdorura kundër qytetarëve: "Konfirmoj që lëndët janë RSG8, TW1000 Profesional dhe VESK RSG 8000 special, që janë lëndë irrituese profesionale".

Lamallari kaloi dhe në sulm politik, duke marrë replikën direkte të Flamur Nokës.

Teksa përballja pozitë-opozitë vijonte në Kuvend, jashtë godinës qytetarët vijonin përplasjen me blutë. Policia vijonte të mbante të bllokuara rrugët rreth Parlamentit, Rrugën e Elbasanit e bllokuan protestuesit.

Diku me kosha e diku me trup. Madje, siç ka vepruar dhe kjo grua e moshuar që i rezistoi disa herë forcës së policëve.

Nuk munguan as të lënduarit si nga radhët e policisë dhe nga protestuesit, që u morën nga autoambulanca për në spital.

Kuvendi ndërpreu disa herë punimet, pikërisht për debatet e zhvilluara në seancë, jo mbi rendin e ditës, por mbi atë që po ndodhte jashtë mureve të godinës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos