Pas Iranit radhën e kanë "Houthit" Trump: Mos tentoni të sulmoni anijet e Arabisë Saudite

Nga Erjon Dervishi
23 Korrik 2026, 19:27 | Bota

Sulmet me dronë iranianë ndaj objekteve të CIA-s në Gjirin Persik kanë shtyrë analistët e inteligjencës amerikane të hetojnë nëse Rusia ka ofruar ndihmë përmes informacionit për shënjestrim ose teknologjisë së avancuar të dronëve.

Disa persona, të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar çështje të sigurisë kombëtare, thanë për Reuters, se zyrtarët e inteligjencës amerikane ende nuk kanë arritur në përfundime të prera lidhur me përfshirjen e mundshme ruse në sulmet ndaj objekteve të CIA-s. Megjithatë, ata përmendën si prova të mundshme efektivitetin dhe saktësinë e dukshme të sulmeve, si dhe mbështetjen më të gjerë teknike që Rusia i ofron Iranit.

Një memorandum i brendshëm i një agjencie perëndimore të inteligjencës, i përshkruar nga një zyrtar në rajon që kishte akses në dokument, arrinte në përfundimin se Rusia ka gjasa të ketë luajtur një rol në shënjestrimin e objekteve rajonale të CIA-s. Zyrtari foli për memorandumin me kushtin që të mos zbulohej se kush e kishte hartuar saktësisht atë.

Dy zyrtarë perëndimorë në Gjirin Persik, të cilët ishin njohur me raportet e inteligjencës, thanë se analistët besonin se sulmi në Arabinë Saudite përfshinte dy versione të dronëve iranianë "Shahed", të modifikuar me teknologji ruse. Shqetësimet se Rusia mund t'i ofrojë Iranit të dhëna për shënjestrimin u shtuan gjatë fundjavës pas sulmeve ndaj një baze ajrore amerikane në Jordani, ku Irani goditi kazermat e ushtrisë me raketa balistike, duke vrarë dy ushtarë. Shtëpia e Bardhë e adresoi kërkesën për koment te CIA, e cila refuzoi të jepte një të tillë.

Ndërkohë, duke parë ecurinë e luftës me Iranin, Presidenti amerikan ka deklaruar se do ta mbante Iranin përgjegjës për çdo sulm nga militantët Houthi të Jemenit, të cilët njoftuan këtë javë se po vendosnin një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite.

"Një vit më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën një sulm shumë të fuqishëm ndaj Huthive për shkak të ndërhyrjes së tyre në tregti dhe lundrim, duke qëlluar mbi anije. Që nga ajo kohë, dhe gjatë konfliktit tonë me Iranin, ata kanë vepruar në mënyrë shumë të përgjegjshme. Fatkeqësisht, tani ata po rifillojnë veprimet e tyre, duke qëlluar mbi dy anije të Arabisë Saudite. Le të shërbejë kjo e vërtetë si një paralajmërim: nëse e përsërisin këtë veprim, SHBA-ja do ta mbajë Iranin përgjegjës, pasi Huthitë janë një forcë përfaqësuese dhe instrument i Iranit; ndaj Iranit dhe, natyrisht, vetë Huthive – do të ushtrohen masa të rënda ndëshkuese ushtarake. Jam thellësisht i zhgënjyer me Huthitë, duke qenë se deri më tani ata kishin vepruar në mënyrë shumë profesionale dhe të mençur”, tha Trump.

Milicia Huthi kishte njoftuar më parë një "operacion ushtarak të synuar" kundër dy anijeve cisternë nafte të Arabisë Saudite që kishin shkelur një bllokadë detare kundër porteve të Arabisë Saudite të njoftuar të hënën. Anijet "Enselia" dhe "Laila" u sulmuan me raketa dhe dronë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos