Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka kushtëzuar çuditërisht marrëveshjen bërthamore me Arabinë Saudite nga normalizimi i marrëdhënieve midis shtetit të Gjirit dhe Izraelit. Arabia Saudite duhet t'i bashkohet "Marrëveshjeve shumë të respektuara dhe të suksesshme të Abrahamit", njoftoi Trump në platformën e tij Truth Social. Këto marrëveshje normalizuan marrëdhëniet midis disa vendeve arabe dhe Izraelit në vitin 2020 gjatë mandatit të parë të Trump.
“Marrëveshja për Energjinë Bërthamore Civile, nuk do të ketë pasurim të materialeve!, por që po lidhet mes Departamentit të Energjisë të Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite – e cila ka të bëjë vetëm me përdorimin joushtarak, të ngjashëm me atë që kanë tashmë Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (si dhe vende të tjera) – do të miratohet, por do kushtëzohet plotësisht nga bashkimi i Arabisë Saudite me Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat gëzojnë respekt të madh dhe janë të suksesshme. Shtetet e Bashkuara nuk janë kundër objekteve bërthamore civile (që nuk përfshijnë pasurim)”, tha Trump.
Komentet e Trump vijnë pas kritikave nga ekspertët se marrëveshja mund të rrezikojë përhapjen bërthamore në të ardhmen në një rajon tashmë të paqëndrueshëm. Arabia Saudite ka thënë më parë se nuk do ta njihte Izraelin pa krijimin e një shteti palestinez.
Në vitin 2020, Trump ndërmjetësoi Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat siguruan normalizimin historik të marrëdhënieve midis Izraelit dhe dy kombeve arabe, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreinit. Sudani, Maroku dhe Kazakistani që atëherë i kanë nënshkruar gjithashtu marrëveshjet.
Ndërkohë, Izraeli e mirëpriti deklaratën e Trumpit. Duke postuar në X, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se bashkimi i Arabisë Saudite me marrëveshjet "do të ishte një hap historik përpara për paqen në Lindjen e Mesme". Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite firmosën një marrëveshje të rëndësishme, që do të lejoje mbretërinë e gjirit të zhvillojë një program bërthamor civil. Departamenti amerikan I energjisë e përshkruan ujdinë si bashkëpunim paqësor nuklear, që do ti mundësojë kompanive amerikane qasje të konsiderueshme në programin e energjisë bërthamore të sauditëve. (A2 Televizion)