Dialogu Kosovë-Serbi, DASH: Të zbatohen marrëveshjet e kaluara, përfshirë asociacionin

Nga A2 CNN
19 Prill 2023, 12:26 | Kosova
Dialogu Kosovë-Serbi, DASH: Të zbatohen marrëveshjet e kaluara,

Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë bisedimeve të mëparshme, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kështu u shpreh Departamenti Amerikan i Shtetit për Zërin e Amerikës. Më 18 mars, Prishtina dhe Beogradi u pajtuan mbi një marrëveshje të propozuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve dhe aneksin e zbatimit të saj.

“SHBA-ja dhe BE-ja presin nga të dyja palët që t’i përmbushin obligimet e tyre dhe të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme nga dialogu, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, siç kanë konfirmuar se do të bëjnë dy udhëheqësit në takimin e 18 marsit në Ohër”.

DASH ka theksuar se SHBA-ja mbetet e angazhuar në mënyrë aktive në mbështetjen e Kosovës dhe Serbisë në zbatimin e marrëveshjes.

“Ne jemi të përqendruar mbi zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në mënyrë që t’i ndihmojmë të zhvillojnë marrëdhënie më paqësore dhe më të parashikueshme si fqinj, gjë që do të mundësonte stabilitet, siguri dhe prosperitet më të madh në rajon”.

Më 18 prill, Bashkimi Europian konfirmoi krijimin e një Komisioni të Përbashkët për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së arritur nga udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë, në takimin e tyre në Ohër. Siç është bërë e ditur nga Brukseli, Komisioni do të kryesohet nga përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Belgjikë, Agron Bajrami, ndërsa Serbia nga kryenegociatori i saj, Petar Petkoviç. Mbledhja e parë e komisionit do të mbahet pas takimit mes dy udhëheqësve, Kurti dhe Vuçiç më 2 maj në Bruksel.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos