
Qeveria e Kosovës ka reaguar pas miratimit të vendimit final për liberalizimin e vizave duke thënë se ky është një moment kyç i përafrimet të Kosovës me familjen evropiane. Në komunikatën e Qeverisë, thuhet se falë punës në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, u arrit zhbllokimi i këtij procesi.
“Liberalizimi i vizave tashmë është realitet. Ditën e sotme u votua pozitivisht në Parlamentin Evropian dhe vendimi final mbi liberalizimin e vizave. Ai do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Sipas Qeverisë, vendimi do të publikohet në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit dhe sipas këtij vendimi, kosovarët do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen jo më vonë se nga data 1 janar 2024.
“Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit. Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante. Pas një pritjeje të gjatë, ky është një moment kyç i përafrimit të vendit tonë me familjen evropiane”, thuhet në reagim. (A2 Televizion)