Dita e Mësuesit, pagat e arsimtarëve janë rritur vetëm 30% në 6 vite

Nga A2 CNN
7 Mars 2023, 15:43 | Ekonomi
Dita e Mësuesit, pagat e arsimtarëve janë rritur vetëm 30%

Figura e arsimtarëve në Shqipëri është zbehur përgjatë viteve. Në ditën e mësuesit, mesazhet e urimit, lulet dhe dhuratat mund të jenë më të shumta, por pagat dhe statusi social janë të ulëta.

Dikur një profesion i parë me admirim dhe i shumëkërkuar, në ditët e sotme duket se është braktisur nga të rinjtë, nisur nga rënia e ndjeshme e numrit të studentëve që i drejtohen degëve të mësuesisë, aq sa të rrezikohet edhe mbyllja e tyre.

Ish-zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, shprehet për A2 CNN se shkak për këtë situatë është bërë vëmendja e munguar nga qeveria, që nuk ka investuar mjaftueshëm në arsim.

“Të ardhurat e ulëta shihen si elementi kyç në braktisjen e mësuesisë, ndonëse vitet e fundit qeveria është mburrur me rritje pagash”, tha Malaj.

Sipas Malajt, këto rritje kanë qenë gjithmonë të pamjaftueshme, veçanërisht sot nisur nga shtrenjtimi i çmimeve dhe situata aktuale ekonomike në vend. Ajo propozon jo vetëm paga më të larta, por edhe një vëmendje më të madhe në shoqëri, përmes ngritjes së statusit të arsimtarit.

“Në bazë të vendimeve të qeverisë nga viti 2017 deri në vitin 2022 kemi një rritje mesatare prej 30% të pagave për mësuesit. Një mësues i ciklit të ulët në shkollat 9-vjeçare në 2017-n paguhej 36 850 lekë, ndërsa sot merr afërsisht 48 mijë lekë. Cikli i lartë fillor përfiton sot një pagë bazë prej 51,200 lekësh, nga 39 mijë lekë 6 vite më parë. Ndërsa paga e një mësuesi në gjimnaz nis sot nga baza prej rreth 55 mijë lekësh, nga 42,350 lekë në vitin 2017”.

Krahasuar me pagën mesatare mujore të një punonjësi të administratës publike, që merr rreth 72 mijë lekë, një mësues i ri paguhet thuajse sa 1/3 më pak çdo muaj.

https://a2news.com/2023/03/07/ne-shqiperi-perfundojne-ne-call-center-para-mesuesise-ne-zvicer-paguhen-deri-ne-15-mije-franga/
https://a2news.com/2023/03/07/veterania-e-arsimit-ne-qytetin-e-mesonjetores-te-forcohen-lidhjet-me-familjet-e-nxenesve/

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani