Edlira Gjoni: Çështja nuk e ka emrin “teatër”, është shpërfillja e çdo parimi demokratik që besojmë

Nga A2 CNN
17 Maj 2020, 14:55 | Aktualitet
Edlira Gjoni: Çështja nuk e ka emrin “teatër”,

Analistja Edlira Gjoni flet për A2 mbi ngjarjen, ende në zhvillim e sipër, të shembjes së godinës të Teatrit Kombëtar. Gjoni ndihet e revoltuar, sepse sipas saj “kjo nuk është thjesht humbje për artistët, është një pikë e zezë për të gjithë shqiptarët. Ka të bëjë me shkeljen e ligjit, tjetërsimin e pronës publike dhe rikthimin e saj në pronë private, me shpërfilljen e shoqërisë civile, me anashkalimin e çdo principi demokratik të cilëve i besojmë”.

Edhe pse Gjoni pohoi se nuk kishte për godinën e Teatrit ndonjë afeksion të veçantë, dhe se do dëshironte të kishte në kryeqytet teatro të rinj, sërish “sot sa herë fadroma godiste  muret, ishte sikur po e godisnin forca jo-shqiptare”.

Sipas saj, “sulmi” i fadromave natën janë një sinjal akoma më të rëndë sepse kryhet në një gjendje të jashtëzakonshme për arsye komplet të ndryshme.  

“Po i vejnë kazmën vendit. Më kujton shumë kur në vitin ’44 shembën bibliotekën më të pasur, atë të Françeskanëve, dhe në ’49 hodhën me tritol kishën ku u martua Skënderbeu, me pretekstin se po pengojnë modernizimin”, thotë Gjoni.

Por ajo nuk harron të kritikojë të gjithë klasën politike. “Kjo gjendje ka ardhur për shkak të deformimit që partitë politike i bëjnë kauzave të tyre. Partia Demokratike kur ishte në pushtet ka refuzuar ta mbrojë këtë institucion. Është populli që është zënë në kurth”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos