
Qeveria ka arritur të emetojë eurobondin me vlerë 650 milionë euro në bursën e Londrës. Një histori suksesi, e ka konsideruar pas mesditës kryeministri Rama, teksa këtë rast të daljes para medias, e ka shfrytëzuar për të bërë edhe shumë premtime të tjera në projektin e quajtur “Shqipëria 2030”. Por, jo vetëm kaq. Ai i është përgjigjur opozitës për kritikat e saj për eurobondin dhe krizën ekonomike që ka përfshirë vendin, pasojë jo vetëm e Covid-19, por edhe politikave të gabuara.
Ridvan Bode, ish-ministër i Financave, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së BSH dhe Maksim Caslli, drejtor ekzekutiv i Deloitte Shqipëri dhe Kosovë, ishin të ftuar në A2 Business Week, ku folën pikërisht për eurobondin.
Sipas Maksim Casllit, rëndësi ka mënyra se si do të shpenzohen këto para. Ndërsa për ish-ministrin e Financave Ridvan Bode, qeveria duhet të bëjë kujdes me menaxhimin e borxhit, që është shumë i varur nga kursi i këmbimit.
“Pas 7 vitesh, do të detyrohesh ta kthesh këtë bond mbrapsht. Nëse ti nuk i ke përdorur mirë paratë, atëherë do të vihesh në vështirësi pas 7 vjetësh. Investimet, në shumicën e rasteve bëhen nga emocione politike. Bëhen investime të caktuara, si një rrugë apo diçka tjetër, ndoshta edhe duke mbiinvestuar dhe nuk e shikojnë normën e investimit, duke harruar që paraja ka një kosto, e cila nëse ti nuk bën investimin e duhur do të vijë momenti dhe do të kesh krizë”, u shpreh Maksim Caslli.
“Menaxhimi i fortë i borxhit publik në kushtet aktuale të tregjeve financiare nuk duket problematik, pasi ka koston më të ulët që ka pasur Shqipëri në 30 vite. Ne themi se sot e kemi 78 borxhin publik, nëse kursi i këmbimit shkon 130 lekë, sa do ta kemi brenda disa muajsh? Mbi 100%. Niveli i borxhit tonë varet shumë nga kursi i këmbimit”, u shpreh Bode. (A2 Televizion)