Në Lagunën e Nartës po dëshmohet një masakër mjedisore. Pamjet filmike të A2 dëshmojnë për persona që ushtrojnë gjueti të paligjshme në brendësi të zonës së mbrojtur.
Situata ka krijuar shqetësim tek specialistët e zonave të mbrojtura të cilët e kanë territorin në monitorim të vazhdueshëm.
Ndërsa policia pritet të nisë hetimin për identifikimin e autorëve, Florian Rustemaj, nga Administrata e Zonave te Mbrojtura thotë se rast pas rasti bëhet koordinimi me policinë e shtetit për të shmangur dëmtimin e popullsisë së shpendëve në zonë.
“Nuk përjashtohet mundësia e gjuetisë, ka njerëz të papërgjegjshëm që shkojnë dhe gjuajnë në lagunë. Ne jemi gjithmonë në bashkëpunim me policinë e shtetit, jo vetëm me gjuetinë, por për gjithë aktivitetet e paligjshme”, thotë Rustemaj për A2.
Veçanërisht dy vitet e fundit efektet e moratoriumit të hyrë në fuqi në vitin 2016- të, janë ndjerë në lagunë e Nartës, me rikthimin e flamingove dhe pelikanit kaçurrel. (A2 Televizion)