Forcohet euro, niveli më i lartë që nga korriku, ndikojnë blerjet e energjisë

Nga A2 CNN
28 Tetor 2021, 16:34 | Ekonomi

Blerjet e energjisë elektrike kanë forcuar euron në tregun tonë të këmbimit. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane ka arritur në 122,6 lekë, duke shënuar një rritje prej 0.38 lekë kundrejt një dite më parë dhe duke regjistruar nivelin më të lartë që prej muajit korrik.

Forcimi i euros është shkaktuar nga kërkesa e lartë për të nga ana e bankave. Kjo pasi Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike po importon në këtë periudhë energji me çmime rekord nga tregu i lirë. Kjo për shkak të situatës hidrike problematike, por edhe krizës së përgjithshme energjetike në tregjet globale, që kanë çuar bursat në nivele të pashënuara më parë. Vetëm gjatë muajit tetor, OSHEE ka shpenzuar rreth 65 milionë euro në blerje energjie.

Por një tjetër faktor që po forcon euron në tregun tonë është edhe rritja e kërkesës nga ana e importuesve. Kjo pasi për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare, ata janë të detyruar të paguajmë më shumë në valutë. Rrjedhimisht kjo ka rritur kërkesën për euro në tregun e brendshëm, duke bërë presion për forcim të saj dhe zhvlerësim të lekut shqiptar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos