Një gazetar francez është vrarë teksa raportonte nga zona e luftës në Ukrainën lindore. 32-vjeçari Arman Soldin, i cili punonte për agjencinë e lajmeve AFP, vdiq të martën pasi u godit nga raketa pranë Chasiv Yar, në perëndim të Bakhmutit, i cili çdo ditë është në shënjestër të forcave ruse.
Një ekip gazetarësh u sulmua rreth orës 16:30 me orën lokale, ndërsa ishte me një grup ushtarësh ukrainas.
Ai ishte pjesë e ekipit të parë të AFP-së që shkoi në Ukrainë pas pushtimit të Rusisë në shkurt të vitit të kaluar dhe jetonte atje që nga shtatori.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, shprehu ngushëllimet për gazetarin e vrarë në vijën e parë të luftës.
“Me guxim, që nga fillimi i konfliktit ai ishte në front për të vërtetuar faktet. Për të na informuar. Ne ndajmë dhimbjen e familjes së tij dhe të gjithë kolegëve të tij", shkroi Macron në Twitter.
Kryetari i AFP, Fabrice Fries, tha se agjencia e lajmeve ishte "shkatërruar" nga vdekja e Soldin, për të cilën tha se ishte një "kujtim i tmerrshëm i rreziqeve me të cilat përballen gazetarët çdo ditë që mbulojnë konfliktin në Ukrainë".
Drejtoresha e agjencisë për Evropën, Christine Buhagiar, e kujtoi Soldin si "entuziast, energjik dhe trim" dhe tha se ai ishte "plotësisht i përkushtuar për profesionin e tij".
Deputetët në të gjithë spektrin politik qëndruan në Asamblenë Kombëtare të Francës dhe bënë homazhe për Soldin.
Ministria e mbrojtjes e Ukrainës shprehu "ngushëllimet e saj të përzemërta" për familjen dhe kolegët e Soldin duke thënë: "Ai ia kushtoi jetën informimit të botës për të vërtetën. Trashëgimia e tij, si dhe kauza e tij, do të jetojë".
Shtëpia e Bardhë, gjithashtu, shprehu ngushëllimet, duke thënë se bota ishte në "borxh" ndaj gazetarëve që kishin humbur jetën "ndërsa ndriçonin tmerret e pushtimit rus".
Soldin, i cili ka lindur në Bosnjë, është gazetari i 15-të që vritet, ndërsa raportonte për luftën në Ukrainë që nga shkurti i vitit 2022, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Të paktën dy gazetarë të tjerë francezë që mbulonin konfliktin, janë vrarë, Pierre Zakrzewski dhe Frederic Leclerc-Imhoff. (A2 Televizion)