All - Scripts - 1
All - Scripts - 1
Desktop - General - 1

Gruaja vret sozinë për të falsifikuar vdekjen e saj

Nga A2 CNN
1 Shkurt 2023, 07:15 | Bota
Gruaja vret sozinë për të falsifikuar vdekjen e saj
All - Paragraf - 1

Një grua e re gjermano-irakiane dyshohet se vrau një tjetër grua të ngjashme, pasi e kërkoi në mediat sociale dhe e kontaktoi atë përmes Instagramit, për të inskenuar vdekjen e saj. Vrasja me 50 plagë me thikë ndodhi gushtin e kaluar pranë Ingolstadt, në Bavari të Gjermanisë dhe hipoteza e një plani kriminal të këtij lloji ishte dyshuar që në fillim. Policia gjermane të hënën konfirmoi zyrtarisht dyshimet ndaj të resë dhe një burri që dyshohet se e kishte ndihmuar, duke shtuar se e akuzuara mund ta ketë kryer krimin sepse ajo donte t'i shpëtonte problemeve familjare.

Viktima, e cila ishte 23 vjeç, sikurse vrasësja, i ngjante aq shumë të akuzuarës sa që në fillim plani kishte funksionuar. Aq sa edhe prindërit e kishin identifikuar gabimisht gruan e vrarë si vajzën e tyre. Por autopsia, ngriti dyshime për identitetin e viktimës. Më pas, është urdhëruar arrestimi i të dyshuarës dhe një bashkëmoshatareje të saj. Fillimisht, dy të dyshuarit u akuzuan për vrasje nga pakujdesia. Pasi dëgjuan disa dëshmitarë dhe morën të dhëna të reja, hetuesit besojnë se gruaja dhe bashkëpunëtori i saj i dyshuar kanë paramenduar krimin dhe kanë vrarë viktimën në befasi.

All - Paragraf - 3

Sipas hetuesve, krimi ishte përgatitur për një kohë të gjatë dhe të dy të akuzuarit kërkuan në rrjete të ndryshme sociale për një grua që i ngjante vrasëses, me flokë të gjatë kafe, ngjyrë të errët dhe të grimuar shumë në fytyrë. Dyshohet se të dy u kanë shkruar disa femrave në chat, derisa kanë bindur njërën prej tyre përmes mashtrimit, duke folur për produkte kozmetike. Pas vrasjes, gruaja është braktisur në makinën e autores së supozuar, ndërsa dy të akuzuarit kanë pritur që t'i humbin gjurmët e tyre. (A2 Televizion)

All - ArticleEnd - 1
All - ArticleEnd - 2

A2 CNN Livestream

Latest Videos