Kredia studentore mbulon kostot e jetesës, por nuk e marrin dot të gjithë

Nga A2 CNN
20 Korrik 2023, 15:20 | Sociale
Kredia studentore mbulon kostot e jetesës, por nuk e marrin dot të

Miratimi i skemës së kredisë studentore nga qeveria, është parë si një nismë e mirëpritur, por jogjithëpërfshirëse nga studentët. Interesat e ulëta dhe mundësia për ta marrë pa kolateral, shihen si një mundësi e mirë për të mbuluar kostot e jetesës dhe tarifat e studimeve.

“Mendoj që kjo gjë ka për t’i ndihmuar shumë studentët, sepse së pari iu siguron financat jo çdokush ka mundësi t’i plotësojë ato të ardhura për të mbuluar të gjitha shpenzimet që ka në një vit akademik duke filluar nga qiraja, jetesa librat gjatë një viti akademik. Kjo duhet të ishte aplikuar më parë, por më mirë vonë sesa kurrë. Çdo student s’ka pse e paguan gjatë viti akademik, por pasi e mbaron fillon e shlyen kur edhe mund të ketë zënë një punë”.

XHULJANO HOXHA, STUDENT SHKENCAT SOCIALE

Mikel Seferi, student i mjekësisë, në vend të kredisë studentore, do të kishte preferuar që të mos detyrohej të paguante një tarifë shumë të lartë nëse nuk pranon kontratën 5-vjeçare për të punuar në Shqipëri pas studimeve. Sipas tij, me ndryshimet e reja, përtej kostove të jetesës, në një cikël akademik ai duhet të paguajë gjithsej rreth 4 milionë lekë tarifa vetëm për të ndjekur shkollën.

“Për mua që jam viti i parë psh. do të paguaj 6 vjet i bie gati 42 milionë lekë janë shumë. Dhe thonë këtë barrën ne po jua heqim punoni me detyrim. Por nuk shoh të mirë ta nisësh jetën tënde studentore me borxhe. Duke marrë parasysh rrogat e ulëta i bie një student me rrogën që do marrë si specializantë apo mjekë do ta përdori për të paguar tarifën”

MIKEL SEFERI, STUDENT, UNIVERSITETI I MJEKËSISË

Fondet nga kredia studentore do të jepen me këste të paktën dy herë në vit, pasi universiteti të konfirmojë se studenti frekuenton procesin mësimor. Por nga kjo lehtësi përjashtohen ata që përfitojnë bursa, mbështetje financiare apo përjashtim nga tarifat. Për studentin e Fakultetit të Ekonomisë, Igli… ky kriter është penalizues.

“Ajo që kemi marrë si informacion ditën e djeshme është miratimi me interes të pandryshuar që është një gjë pozitive por dhe pa kolateral. Por ajo që nuk është pozitive bëhet fjalë për kategoritë e studentëve në nevojë që marrin ndihmë ekonomike, nuk përfitojnë nga ky hartim. Ata janë dhe personat që janë më në nevojë për të përfituar nga kjo kredi. Mund të ketë një masë tjetër nga qeveria, e mira do të ishte për të gjithë studentët dhe në njëfarë forme kjo do t’i jepte një pavarësi studentëve.”

IGLI, STUDENT FAKULTETI I EKONOMISË

Por edhe nëse kualifikohesh për kredinë studentore, nuk është e thënë të aprovohet. Sipas vendimit të qeverisë, përparësi do të kenë kreditë e ulëta, studentët me rezultate të mira dhe ata që ndjekin programet prioritare. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/19/nga-ky-vit-shkollor-studentet-do-kene-mundesi-te-marrin-kredi-kushtet-dhe-kriteret/

A2 CNN Livestream

Latest Videos