Për Monika Kryemadhin debatet e fundit për presidentin bëhen për të larguar vëmendjen dhe nga skandalet e fundit në vend, siç janë dëshmitë e dy të penduarve të drejtësisë Nuredin Dumani dhe Enrik Hoxha si dhe çështja e inceneratorëve.
Sipas Kryemadhit, dëshmitë e dy vrasësve përfshijnë shumë grupe kriminale, pjesa më e madhe e të cilave ka qenë pjesë e garnizonit ushtarak të mazhorancës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
“Situata me presidentin është krijuar dhe për të larguar vëmendjen nga zhvillimet e fundit që po ndodhin me dëshmitë e dy të penduarve, që përfshijnë shumë grupe kriminale, pjesa më e madhe e të cilave kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në zgjedhjet e 25 prillit, ku kanë qenë garnizoni ushtarak i Partisë Socialiste në këto zgjedhje. Gjithashtu po kërkohet të largohet vëmendja dhe nga çështja e inceneratorëve, e cila është një arsye edhe më e rëndë që implikon kryeministrin, kryetarin e bashkisë, ministra. Mjafton të lexosh rekursin e Gjykatës së Lartë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur”, u shpreh Kryemadhi. (A2 Televizion)