Shtëpia e saj është tërësisht e shkatërruar nga predhat, por Tatiana Bushlanova qëndron e fortë teksa flet për Reuters, edhe pse me zemër të thyer, sikurse ato copa mbetjesh të qytetit të Mariupolit që shtrihet para syve të saj. Lufta në qytetin-port duket se ka përfunduar, por pensionistja do të luftojë gjatë me idenë se duhet të mësohet me atë çfarë ka ndodhur.
Vendndodhja strategjike e Mariupolit në Detin Azov e shndërroi qytetin në një objektiv kryesor, në atë që Moska e quajti “operacioni ushtarak special" që vetë e filloi në Ukrainë në datën 24 shkurt të vitit 2022.
Forcat ruse pushtuan qytetin në maj kur, pas një rrethimi që zgjati gati tre muaj, qëndrestarët e fundit ukrainas dolën nga tunelet nëntokësore të fabrikës së saj të madhe të çelikut Azovstal dhe u dorëzuan. Deri në momentin e dorëzimit, pjesa më e madhe e Mariupolit ishte nën gërmadha dhe dhjetëra mijëra njerëz ishin vrarë në këtë qytet, ku më shumë se gjysma e popullsisë, rreth 450 000 vendas, ishin arratisur përpara fillimit të konfliktit.
Tatiana, e cila nuk e braktis Mariupolin, thotë se vdekja dhe shkatërrimi që ka pllakosur qytetin, kishin ngurtësuar sidomos zemrat e njerëzve. “Njerëzit humbën gjithçka. Të gjithë janë zemërthyer tani, janë të zemëruar. Nuk arrij dot të shoh më mirësi atje”, tha 65-vjeçarja në intervistat e kryera pranë shtëpisë së saj të vjetër, tani kthyer në rrënoja, por ajo sërish jeton shumë pranë, në prag të përvjetorit të parë të “operacionit special ushtarak”.
Një nga fqinjët e saj të vjetër u vra kur rrënojat e zunë poshtë pas një shpërthimi. Djali i një fqinji u vra nga një predhë, ndërsa kryente punët e veta, dhe një fqinji tjetër iu këput dora në një shpërthim, kujton ajo. Në atë kohë, e ulur e vetme në një stol në oborrin e pallatit të saj të rrënuar, rrethuar nga mure të nxira dhe ballkone të shembura, ajo tregonte që ajo dhe burri i saj 63-vjeçar, Nikolai, nuk kishin ku të shkonin.
Qëndruan aty edhe për dy muaj të tjerë, duke hezituar të braktisin shtëpinë e tyre në të cilën jetonin prej 20 vitesh, edhe pse nuk kishte energji elektrike, gaz apo ujë të rrjedhshëm. Djali i tyre Jevgeni dhe familja e tij u larguan për në Krime, gadishulli i Detit të Zi i aneksuar nga Rusia në vitin 2014.
“Ne nuk donim të largoheshim, por duhej të paktën të hanim. Dolëm jashtë dhe shihnim objekte që fluturonin në të gjithë vendin, ishte e tmerrshme të dilje dhe të merrje diçka për të ngrënë”, tha ajo. Ata ishin ndër 10 familjet e fundit që u larguan nga ndërtesa. “Njerëzit kanë shkuar kudo ku mundën të arrinin”, tregon ajo.
Tatiana dhe bashkëshorti i saj tani jetojnë në një apartament rreth një kilometër larg banesës së mëparshme që i përkiste një çifti të quajtur Andrei dhe Marina, të cilët u vranë nga bombardimet, ndërsa ushtria ruse luftonte me ushtrinë ukrainase për të marrë kontrollin e Mariupolit. Për javë të tëra pas vdekjes së tyre, çifti i ri dergjej në varre të improvizuara jashtë ndërtesës. “Derisa u rivarrosën në gusht, trupat e tyre gjendeshin në oborrin këtu gjatë gjithë kohës. Ishte rrëqethëse”, thotë ajo.
Macja e tyre Alisa është e vetmja që nuk e ka braktisur apartamentin e të moshuarve. Gjendja traumatike veçse përkeqësohet nga çfarë ajo dhe bashkëshorti i saj kanë përjetuar, por Bushlanova thotë se jeta në Mariupol po fillon të ndryshojë paksa me autoritetet e ngritura nga Rusia, duke ndërtuar edhe disa blloqe të reja apartamentesh. “Një lloj shprese është shfaqur”, thotë Tatiana, duke reflektuar mbi ndryshimet kataklizmike që ka parë në qytetin, emri i të cilit u bë i njohur në mbarë botën si një fjalë që tregon për vdekje dhe shkatërrim.
Zyrtarët rusë kanë njoftuar një plan madhor afatgjatë rindërtimi për qytetin, ku kanë futur monedhën rubla dhe kanë kaluar shkollat në kurikulën standarde ruse, për të mësuar në rusisht. Pasi u shpërngulën në korrik, Tatiana dhe Nikolai u përpoqën të ndiheshin rehat në banesën e tyre të përkohshme, duke riorganizuar mobilje të gjetura aty dhe duke vendosur fotografitë e tyre familjare që kishin arritur të ruanin. Blloku i tyre i vjetër i apartamenteve u shkatërrua tërësisht, por marrja e kompensimit është një proces i stërzgjatur.
Çifti ndërkohë ka aplikuar për një pagesë prej 100 000 rubla ose 1350 dollarë. Ndërkohë, të dy të moshuarit jetojnë me rrogën e saj modeste si pastruese dhe me dy pensionet e tyre prej 10 000 rubla në muaj secili. Tatiana tha se ishin të pamjaftueshme, duke pasur parasysh se sa janë shtrenjtuar ushqimet. Me Mariupolin ende nën kontrollin rus dhe pa asnjë shenjë për një fund të konfliktit, Tatiana thotë se ata do të qëndrojnë në qytetin që ka qenë shtëpia e tyre për dekada. (A2 Televizion)