
Presidenti Bajram Begaj thërret sot në orën 14:00 Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku do të përcaktohen prioritetet e vitit 2023 për çdo instancë shtetërore që lidhet me sigurinë e vendit.
Kjo është hera e dytë që Begaj thërret një mbledhje të tillë, më parë e bëri në tetor të vitit të kaluar, ku u diskutua për sulmet kibernetike në drejtim të vendit tonë, për të cilat u akuzua Republika Islamike e Iranit. Gjatë muajt korrik, por edhe më pas, u bllokuan sisteme të ndryshme, si portali qeveritar e-Albania, apo sistemi TIMS në pikat kufitare.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare synon që të japë një panoramë të plotë dhe integruar të gjendjes së Sigurisë Kombëtare në Republikën e Shqipërisë dhe të diskutojë prioritetet për vitin në vijim në funksion të angazhimit të plotë, gjithëpërfshirës të institucioneve në garantimin e sigurisë, lirisë dhe mirëqenies së qytetarëve.
Këshilli i Sigurisë përbëhet nga 14 anëtarë dhe kryesohet nga Presidenti i Republikës. Anëtarët e tjerë të tij janë kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe 7 ministra: i mbrojtjes, drejtësisë, punëve të brendshme, financave, transportit, punëve të jashtme dhe energjisë.
Anëtarë e tjerë janë Kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ndërkohë që presidenti mund të ftojë edhe personalitete të tjera. (A2 Televizion)