Mbyllet saga e nëndetëses së zhdukur, shpallen të vdekur personat në bord

Nga A2 CNN
23 Qershor 2023, 10:28 | Bota
Mbyllet saga e nëndetëses së zhdukur, shpallen të vdekur

Misteri i nëndetëses Titan, e cila për ditë me radhë e la botën me frymën pezull, mori një zgjidhje pasditen e së enjtes, edhe pse jo me fundin që po shpresohej.

Pesë personat në bordin e kapsulës së operuar nga kompania OceanGate u deklaruan të vdekur, pasi pjesë të nëndetëses u gjetën në shtratin e oqeanit.

Siç bëri me dije, roja bregdetare amerikane, 5 copëza të mëdha të nëndetëses 6.7 metra të gjatë u gjetën nga një pajisje robotike kanadeze, rreth 500 metra larg rrënojave të anijes së mbytur në 1912, Titanik, për eksplorimin e së cilës ishte nisur ekuipazhi.

Ekspertët besojnë se kapsula ka pësuar një shpërthim katastrofik, për shkak të humbjes së presionit, me pasojë vdekjen e menjëhershme të 5 personave në bord.   

"Roja bregdetare amerikane. Një pajisje e komanduar nga larg, nga anija kanadeze Horizon Arctic, zbuloi bishtin konik të nëndetëses Titan, afërsisht 488 metra larg mbetjeve të Titanikut, në shtratin e detit. Më vonë, pajisja robotike zbuloi edhe pjesë të tjera. Pas konsultimeve me ekspertët, mendojmë se ka ndodhur një shpërthim katastrofik, për shkak të një keqfunksionimi në dhomën e presionit", deklaroi  Admiral, John Mauger.

Nëndetësja u shpall e humbur rreth 1 orë e 45 minuta, pas zhytjes drejt thellësisë së 3800 metrave në oqeanin Atlantik, për një ekspeditë pranë rrënojave të Titanikut të famshëm.

Siç u bë e ditur së fundmi, marina amerikane kishte evidentuar një anomali akustike, e cila përputhej me një shpërthim të mundshëm, menjëherë pasi Titani humbi kontaktet.

Një operacion i madh kërkimi u zhvillua për shpëtimin e personave në bord, me pjesëmarrjen e ekipeve amerikane, kanadeze dhe franceze. Viktimat janë drejtuesi i kompanisë OceanGate, Stockon Rush 61 vjeç, Hamish Harding, biznesmen dhe aventurier britanik, milioneri me origjinë pakistaneze Shahzada Dawood dhe djali i tij Suleiman, dhe eksploruesi e zhytësi francez, Paul-HenriNargeolet.

Mesazhe ngushëllimi për humbjen e tyre po vërshojnë nga e gjithë bota, ndërsa të 5 po përshkruhen si njerëz të jashtëzakonshëm që ndanin së bashku shpirtin e aventurës.

I vetmi ngushëllim për familjarët e tyre është vlerësimi i ekspertëve, se vdekja e tyre ka qenë aq e shpejtë sa nuk kanë arritur as ta kuptojnë. Familjarët e një prej viktimave, akuzojnë kompaninë Ocean Gate se kishte lëshuar me vonese alarmin për zhdukjen e nëndetëses.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos