Mbytet varka, trafikantët i shpëton kokaina

Nga A2 CNN
1 Tetor 2019, 17:19 | Bota

Tre trafikantë u shpëtuan nga Roja Bregdetare pasi kishin mbetur në det të hapur me 1,2 ton kokainë. Ndërsa ushtarët kolumbianë afroheshin panë burrat që përpiqeshin të mbaheshin me forcë te pakot e kokainës, për të mos u mbytur.

Ngjarja ndodhi në oqeanin Paqësor, 30 milje detare nga Tumaco. Të tre mendohet se kishin më shumë se tre orë në ujë, pasi varka e tyre ishte përmbysur për shkak të dallgëve të mëdha. Pasi u shpëtuan dhe morën ndihmën e parë mjekësore, tre trafikantët u dërguan në qeli, ku do të hetohen për prodhim, magazinim dhe trafikim ndërkombëtar kokaine.

Sipas mediave kolumbiane, në varkë ishin katër persona, por njëri nuk është gjetur, pavarësisht operacionit të skuadrave të shpëtimit. Në total këtë vit, Marina kolumbiane ka sekuestruar 163 tonë kokainë këtë vit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos