
“Arrest në shtëpi” është vendosur për punonjësin e Policisë së Sarandës, Ajdin Islamaj, i cili është nën hetim për ndërtim pa leje.
Sipas AMP-së, hetimet kanë zbuluar se në një objekt në pronësi të babait të tij, ku ai banon, është ndërtuar pa leje një kat shtesë mbi një godinë ekzistuese, si dhe janë kryer ndërhyrje të tjera për ta kthyer objektin në hotel.
Ekspertiza teknike ka konstatuar se ndërtimi i ri, me sipërfaqe të paktën 159 metra katrorë, është realizuar gjatë vitit 2025 pa miratimin e autoriteteve kompetente dhe pa leje ndërtimi.
AMP bën me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar përgjegjësitë penale dhe për të identifikuar çdo person të përfshirë në këtë rast.
Njoftimi i AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në vijim të hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ka dokumentuar fakte dhe prova të reja që lidhen me procedimin penal 304/2026, ku është nën hetim edhe punonjësi i policisë Ajdin Islamaj në atë kohë me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë.
Nga akti i ekspertimit teknik i administruar në kuadër të hetimit ka rezultuar se në pasurinë në pronësi të babait të shtetasit në hetim, ku Ajdin Islamaj banon janë kryer punime ndërtimore pa lejen përkatëse të organeve kompetente, duke konsistuar në shtimin e një kati mbi një objekt ekzistues dykatësh, si dhe ndërhyrje të tjera ndërtimore e rikonstruktive me qëllim ndryshimin e destinacionit të objektit në funksion akomodimi (hotel).
Sipas konkluzioneve të ekspertëve të licencuar, struktura e realizuar përbën ndërtim të ri në kuptim të legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit dhe për kryerjen e saj kërkohej pajisja me leje ndërtimi nga autoritetet kompetente.
Nga verifikimet e kryera nuk rezulton të jetë miratuar ndonjë leje ndërtimi për realizimin e këtij kati shtesë.
Nga hetimet ka rezultuar se sipërfaqja e ndërtuar pa leje është jo më pak se 159 m² me funksion hotel.
Gjithashtu, bazuar në analizën e pamjeve satelitore dhe hetimeve është provuar se punimet janë realizuar gjatë vitit 2025, kohë ne të cilën edhe ka mbuluar zonen.
AMP vlerëson se respektimi i ligjit duhet të jetë standardi i parë dhe i panegociueshëm për çdo punonjës policie. Besimi i qytetarëve tek institucionet e zbatimit të ligjit cenohet rëndë kur vetë funksionarët publikë dyshohet se shkelin ligjin që kanë detyrimin ta zbatojnë dhe ta mbrojnë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale, identifikimin e çdo personi të përfshirë dhe verifikimin e rrethanave që kanë mundësuar realizimin e këtyre ndërtimeve në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e vendosur në misionin e saj për të goditur çdo formë paligjshmërie, pa asnjë dallim funksioni, detyre apo pozicioni, duke garantuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se integriteti i uniformës mbrohet përmes zbatimit të paanshëm të ligjit. (A2 Televizion)