Morën para nga dy qytetarë, SPAK masa arresti për 2 Oficerët e Policisë Gjyqësore në Elbasan

Nga A2 CNN
25 Maj 2023, 09:37 | Kronikë
Morën para nga dy qytetarë, SPAK masa arresti për 2 Oficerët

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për katër persona që ushtrojnë funksione publike për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Nga hetimet e kryera deri më tani nga BKH, prokurorët dyshojnë se Çelnik Toska dhe Sefer Shuka në detyrën e Oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, si dhe Lirian Taragjini e Lulzim Hasa kanë marrë në disa raste nga dy qytetarë përfitime monetare të parregullta, në shuma monetare si dhe përfitime të tjera materiale, për të kryer veprime të lidhura me detyrën dhe funksionin e tyre.

Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proCedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë është vendosur:

Caktimi i masës së sigurimit “Arrest në burg” për Lulzim Hasën, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

 Caktimi i masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për Çelnik Toskën, i dyshuar për veprën penale, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Caktimi i masës së sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” për Zenel Taragjininin, i dyshuar për veprën penale, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Caktimi i masës së sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore ” për Sefer Shukën, i dyshuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Caktimi i masës së sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” për Lirian Taragjini, i dyshuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Masat e sigurisë janë ekzekutuar nga policia një ditë më parë, ndërsa hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vijim.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani