Muaji mjalti mbi trenin më të rrezikshëm në botë

Nga A2 CNN
25 Qershor 2022, 16:56 | Lifestyle

Një çift blogerësh mahnitën të gjithë pasi realizuan një set fotografik të dasmës së tyre mbi trenin më të rrezikshëm në botë që kalon përmes Shkretëtirës së Saharasë.

35-vjeçari Kristijan Ilicic, dhe gruaja e tij 29-vjeçare Andrea Trgocevic, të dy nga Kroacia, realizuan fotot më ekstreme të dasmës teksa ndodheshin në Mauritani, në Afrikën veriperëndimore. Ata dëhsironin që muaji i mjaltit të ishte unik dhe për këtë u ngjitën në trenin më të rëndë dhe më të gjatë në botë, për të realizuar me të një udhëtim 20-orësh në kushte ekstreme atmosferike.

Duke komentuar këtë përvojë tepër të veçantë me “Mail Online”, Ilicic tha: “U martuam dhe donim që muaji i mjaltit të ishte ndryshe, diçka që do ta mbanim mend për gjithë jetën tonë, jo një gjë e zakontë me rërë të bardhë, det të kaltër e palma. Kam vizituar deri tani 150 shtete dhe kemi parë plazhe plot. Këtë herë donim diçka krejtësisht ndryshe dhe e gjetëm në Mauritani”.

Treni i Shkretëtirës transporton hekur çdo ditë nga minierat e hekurit në Zouerat, në qytetin port Nouadhibou në Atlantik. Në disa raste trenit i bashkohen edhe vagonë për udhëtare, por në shumicën e rasteve njerëzit zgjedhin të ngjiten mbi vagonët me mallra, për të mos paguar biletën, ku nuk mungojnë edhe rrëzimet.

Kushtet e motit ndryshojnë skajshmërish, nga 45 gradë celsius ditën, në nën 0 gradë celsius natën. “Janë gati 200 vagonë që mbajnë vetëm hekur, kështu që njerëzit ngjiten mbi to për udhëtimin që zgjat 700 kilometra. Nata ishte pjesa më e vështirë për shkak të temperaturave”.

Megjithatë, dy blogerët thanë se vetëm treni ishte pjesa më e vështirë e udhëtimit, pasi Mauritiania ishte një thesar i pazbuluar për ta sa i përket turizmit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos