Në komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ndër të tjera, u mbajt sot një seancë dëgjimore për raportin vjetor të veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale gjatë vitit 2022.
Gjatë kësaj seancë, deputeti demokrat, Saimir Korreshi, ngriti një shqetësim që shkaktoi jo pak të qeshura në sallë.
Korreshi sheh shqetësuese telefonatat që bëjnë kompani të ndryshme që bëjnë promocione për dyshekë. Deputeti demokrat, duke u nisur edhe nga eksperienca e tij, ka dalë në përfundimin se këto kompani përpos numrit të telefonit, kanë akses në të dhëna të tjera demografike të qytetarëve, si mosha, vendbanimi e të tjera.
Korreshi pyet nëse kompanitë celulare mbajnë përgjegjësi për këtë çështje.
“Nuk e di, a ju kanë marrë ju në telefon, na grinë ata të dyshekëve nëpër telefon. Edhe, vdiqa mor burrë i dheut. Këta të telefonisë, a mbajnë ndonjë përgjegjësi? Për dyshekët, na grinë në telefon. E shoh që marrin për kategori të caktuara, për grupmosha të caktuara, për qytete të caktuara. E shoh që krahas numrit të telefonit kanë edhe të dhëna të tjera.”
Pavarësisht gazit të ligjvënësve në sallë, komisioneri Besnik Dervishi e pranoi se kjo është një çështje që mbetet shqetësuese.
Sipas tij, të dhënat personale të qytetarëve sigurohen kryesisht në mënyrë abuzive, teksa shtoi se kujdes duhet të kenë edhe vetë qytetarët, të cilët duhet të tregohen të kujdesshëm kur firmosin kontrata, me anë të të cilave pa e ditur, mund të japin akses në informacione sensitive. (A2 Televizion)