
Gjashtë shqiptarë janë ekzekutuar në Amerikën Latine gjatë 5 viteve të fundit, 4 prej të cilëve në Ekuador.
Guayaquil është kthyer në epiqendrën e përplasjeve mes grupeve shqiptare për kontrollin e linjave të trafikut të kokainës, ndërsa në portin e Durrësit përgjatë viteve të fundit janë sekuestruar më shumë se 1 ton kokainë.
Shqiptarët në Ekuador datojnë që në fillim të viteve 2010, ndërsa shumë prej tyre jetojnë në Guayaquil nëpërmjet lidhjeve martesore bizneseve të dyshimta si dhe identiteve të rreme për t’iu shmangur ndjekjes në Shqipëri.
I arrestuar që në vitin 2014 në Itali për trafik heroine 34-vjeçari Ergys Dashi është viktima e katërt e përplasjeve në Guayaquil dhe vrasjeve të tipit mafioz, tipike për luftën e kokainës.
Ekzekutimet nisën në vitin 2017 me Ilir Hidrin, shqiptaro-malazezin Fadil Kacanic dhe Adriatik Tresën në 2020-ën, i cili u ekzekutua në rezidencën luksoze Bali, ndonëse sipas autoriteteve atje ai ndryshonte vazhdimisht vendqëndrime.
Shqiptarët dhe atë që në Ekuador njihet si mafia ballkanase prej kohësh kanë zgjeruar ndikimin e tyre në trafikun ndërkombëtar të drogës. Sipas të dhënave të fundit të shtetit Ekuadorian tashmë ata bashkëpunojnë me njëri- tjetrin duke lënë pas dhe organizata të mëdha si Ndrangheta.
Edhe pse nuk është një vend prodhues i kokainës, përplasja mes grupeve kriminale zhvillohet në Ekuador për shkak të 4 porteve të mëdha që ka Guayaquil dhe tentativës për t’ u bërë pjesë e linjave të trafikut në këto porte.
Roli i shqiptarëve u rrit ndjeshëm, pasi prezenca e tyre në Amerikën Latine i ka vendosur në dorën e parë të zinxhirit të trafikut të kokainës, kilogrami i së cilës kushton 1500 dollarë.
Dy shqiptarë të tjerë janë ekzekutuar gjatë 4 viteve të fundit në Kolumbi dhe Brazil, me dyshimin kryesor për trafikun e kokainës, duke lënë të kuptohet se grupet shqiptare kanë linjat e tyre në Amerikën Latine, po ashtu dhe në portet më të mëdha të Europës si Roterdam dhe Antwerp. (A2 Televizion)