
Deputetët e opozitës po zhvillojnë një betejë të re mes vetes. Kërkesës së tyre për ndryshime kushtetuese për të hapur listat e kandidatëve për deputetë, i vijnë dhe i ikin firma mbështetëse. Kryetarët e partive të vogla opozitare që ishin kandidatë në fund të listave të PD e LSI-së, thonë se u mashtruan nga krerët e grupeve parlamentare të pakicës në Kuvend.
Ata pretendojnë se variantit që firmosën i janë shtuar dhe 2 pika, ajo që ndalon koalicionet dhe ajo që rrit pragun elektoral në 5%. Për këtë arsye edhe Kostaq Papa njoftoi se tërhoqi firmën.
“Kush aludon që është i pavërtetë objekti për të cilin kanë firmosur, ka të drejtën e zotit të tërheqë firmën, si këtyre të tjerëve që i kanë tërhequr veshin”, tha deputeti Murrizi për A2.
Varianti i shkresës që përmbante heqjen e koalicioneve dhe rriste pragun në 5%, qarkulloi gjatë paradites të së premtes, por për shkak të debateve mes vetes, kryetarët e grupeve të opozitës dolën me një variant të reduktuar me një kërkesë të vetme.
“Lista të hapura në mënyrë që shqiptarët të zgjedhin dhe jo thjeshtë votojnë, dhe rishikimi i zonave elektorale, Shqipëria të jetë një zonë zgjedhore e vetme”, thotë Murrizi.
Mes firmave që iu shtuan nismës janë edhe ato të Elena Xhinës dhe Lefter Kokës, të cilët ndryshe nga sa pretendon Murrizi pohojnë se kanë mbështetur një variant me disa kërkesa, përfshirë atë për heqjen e koalicioneve.
Amullia e krijuar, sipas Lefter Maliqit, është e qëllimshme dhe është krijuar nga Edi Rama për të përçarë opozitën, “që e ka bërë lëmsh me Taulantin e tij, i cili i rekomandon shkresat për firmë në takime të fshehta, kundër interesit të shqiptarëve”.
Ndërkohë deputetët Roshi e Troplini zyrtarizuan pranë Kuvendit tërheqjen nga nisma, e cila me firmat që iu shtuan së fundmi rikaloi pragun minimal për të hyrë në procedurat parlamentare. (A2 Televizion)