"Ngjala" e NASA-s që do të eksplorojë një nga hënat e Saturnit

Nga A2 CNN
8 Maj 2023, 11:39 | Teknologji

Në laboratorin Jet Propulsion të NASA-s është duke u testuar një robot i ri, të cilin agjencia hapësinore shpreson ta nisë në hapësirë për të ndihmuar në përgjigjen e pyetjes më të madhe të të gjitha kohërave: A ekziston jeta përtej planetit Tokë?

Sistemi i quajtur Exobiology Extant Life Surveyor (EELS) është një robot që ngjan si gjarpër, i dizajnuar për të lëvizur nëpër formacione të ngurta dhe të lëngshme ndërkohë që mbledh kampione.

Një nga objektivat e NASA-s është që të mbërrijë në sipërfaqen e Enceladus, një nga 83 hënat e Saturnit dhe më pas të analizojë sipërfaqen e saj të akullt.

Pas fluturimit të një sonde të NASA-s në vitin 1980 pranë saj, besohet se sipërfaqja e Enceladus është relativisht e lëmuar ndërsa temperaturat shkojnë deri në rreh 150 gradë nën zero.

Në 2005, sonda Casini e NASA-s zbuloi se grimca të akullta lëviznin nga sipërfaqja e hënës drejt hapësirës, duke krijuar kështu unazën e tyre ndërsa orbitonin Saturnin.

Këto shpërthime nga sipërfaqja e hënës i kanë bërë shkencëtarët të besojnë se nën sipërfaqen e Enceladus mund të shtrihet një oqean i madh i lëngshëm.

Kushtet aspak të përshtatshme atmosferike janë një nga shumë sfidat me të cilat do duhet të përballet ekipi i EELS teksa roboti është i ndërtuar në mënyrë të tillë që pritet t’i mbijetojë mjedisit “armiqësor.”

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu