Paga e luftës, Ibrahimaj tregon se sa biznese nuk kanë aplikuar për punonjësit e tyre dhe si do të veprohet me ta

Nga A2 CNN
17 Qershor 2020, 20:35 | Ekonomi
Paga e luftës, Ibrahimaj tregon se sa biznese nuk kanë aplikuar

Delina Ibrahimaj, drejtoreshë e Tatimeve, tregoi në “A2 Business Week” se “janë gjithsej 1204 biznese që nuk kanë aplikuar për pagën e luftës për punonjësit e tyre”.

“Qeveria mendoi që pagat e luftës të kalonin direkt tek të punësuarit, me qëllim që të garantonte marrjen e kësaj mbështetjeje. Do të kishte qenë shumë më e lehtë që fondet t’i kaloheshin direkt biznesit, por gjurmimi i shpenzimit të këtyre fondeve do të kishte qenë shumë i vështirë dhe jam e bindur që nuk do të arrihej rezultati në kohën që u arrit. Ne kemi shumë ankesa për bizneset që nuk aplikojnë dhe që kërkojnë para mbrapsht nga paga e luftës. Pra, qëllimi i qeverisë ishte që këto pagesa t’i shkonin individëve. Janë 1204 biznese që nuk kanë aplikuar për pagën e luftës për punonjësit e tyre, që janë 7176 individë. Ne i dhamë mundësi bizneseve që nëpërmjet një formulari të tregonin arsyet pse nuk aplikonin dhe arsyeja kryesore ka qenë se individët ishin paguar 100%. Ne kemi krijuar një grup pune i cili po verifikon 1204 rastet. Në përfundim të verifikimeve, ne do të vijojmë me penalizimet e bizneseve”, deklaroi Ibrahimaj.

Kur u pyet se sa kohë duhet që të kalojë paga e luftës te individët për të cilët nuk ka aplikuar biznesi, por që aplikojnë vetë, Ibrahimaj tha: “Ne kontrollojmë plotësimin e formularëve nga individët dhe të nesërmen bëjmë pagesën. I gjithë ky proces do të përfundojë brenda muajit qershor”.

Ndërsa, sipas Elisabeta Katiajt, kryetare e Unionit të Sipërmarrësve të Rinj, menaxhimi i pagave të luftës nuk u bë siç duhet.

“Nuk u bë siç duhet menaxhimi i pagave të luftës, pasi solli pakënaqësi mes punëmarrësve dhe punëdhënësve. Unë mendoj se ka pasur mangësi edhe në mënyrën e përzgjedhjes së përfituesve, sidomos në paketën e parë”, tha Katiaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos