
Asambleja e Shteteve Palë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) ka votuar për shkarkimin e Karim Khan nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm, pas akuzave për sjellje të papërshtatshme seksuale dhe shpërdorim të autoritetit. Vendimi u miratua me 82 vota pro gjatë një sesioni të posaçëm të zhvilluar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Khan, i zgjedhur si prokurori i tretë i ICC-së në vitin 2021, ishte pezulluar nga detyra muajin e kaluar. Organi i mbikëqyrjes së gjykatës arriti në përfundimin se ai kishte kryer “shkelje të rëndë të detyrës dhe sjellje të rëndë të papërshtatshme”, duke zhvilluar një marrëdhënie të papërshtatshme me një punonjëse të re të ICC-së dhe duke u përpjekur ta pengonte atë të ndiqte zyrtarisht ankesën e saj.
Karim Khan i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat. Avokati i tij deklaroi se vendimi do të kundërshtohet përmes të gjitha mekanizmave ligjorë të mundshëm, duke e cilësuar procesin të padrejtë dhe të paligjshëm.
Hetimi ndaj Khan nisi pas denoncimeve të para të bëra në maj 2024. Një hetim fillestar u mbyll pasi personi që pretendonte se ishte viktimë refuzoi të merrte pjesë në procedurë. Më pas, çështja iu referua Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Mbikëqyrjen e Brendshme (OIOS), e cila zhvilloi një hetim të gjerë nga nëntori 2024 deri në dhjetor 2025, duke mbledhur mbi 5 mijë faqe dëshmi dhe materiale.
Shkarkimi i Khan vjen në një periudhë të tensionuar për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, e cila është përballur me presion të madh politik. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj tij pasi ai kërkoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime të dyshuara gjatë luftës në Gaza.
Administrata amerikane ka intensifikuar gjithashtu fushatën kundër ICC-së, duke premtuar sanksione të reja, ndalime vizash dhe presion diplomatik ndaj vendeve aleate për të kufizuar kompetencat e gjykatës. Ndërkohë, ICC deklaroi se do të vazhdojë të garantojë një mjedis të sigurt dhe të respektueshëm për të gjithë punonjësit e saj. (A2 Televizion)