3 viktima është bilanci i ngjarjes sa kriminale aq dhe tragjike në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Autor ishte 35-vjeçari Nertil Buzi, i cili vrau ish-vjehrrin dhe ish-vjehrrën, mbajti peng ish-të fejuarën dhe më pas i dha fund jetës duke u vetëvrarë.
Në orët e para të mëngjesit të së premtes, Nertil Buzi vrau pas një konflikti ish-vjehrrin e tij dhe la të plagosur ish-vjehrrën. Pas disa orësh në sallën e operacionit, 51-vjeçarja nuk ia doli të mbijetojë në luftën me plagët e marra duke ndërruar jetë.
Ekipet RENEA mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe së bashku me Drejtorinë e Policisë së Fierit nisën negociatat me Nertil Buzin, i cili pas të shtënave me armë rrëmbeu ish të fejuarën. Fillimisht, 35-vjeçari la të lirë ish të fejuarën dhe kërcënoi se do të vriste veten.
Nëntë orë negociata nuk mjaftuan që Nertil Buzi të dorëzohej te autoritetet, duke u vetëvrarë me po të njejtën armë që kreu krimin. Ky është automjeti ku 35-vjeçari qëndroi në arrati për më shumë se 9 orë.
Menjëherë pas ngjarjes reaguan edhe prindërit e Nertil Buzit, duke thënë se shkak i konfliktit ishin një shumë e konsiderueshme parash.
Nertil Buzi dyshohet për të shkuar kriminale edhe në Londër, pasi në vitin 2022 u mbajt peng nga disa persona për 12 ditë, duke i kërkuar familjes Buzi shumën prej 400 mijë paund në këmbim të lirisë së tij. (A2 Televizion)