Parlamenti Europian miraton progres-raportin për Kosovën, dënon ndikimin rus në Serbi

Nga A2 CNN
26 Prill 2023, 19:28 | Kosova
Parlamenti Europian miraton progres-raportin për Kosovën, dënon

Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Europian miratoi progres-raportin për Kosovën. Në të përgëzohet qeveria e Albin Kurtit për rezultatet e mira në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe ndaj emigracionit, gjithashtu edhe për njehsimin e politikave me ato të Brukselit lidhur me dënimin e luftës ruse në Ukrainë.

Ndërsa kritikohet sistemi gjyqësor që vazhdon të jetë joefikas dhe i cenueshëm ndaj ndërhyrjeve të panevojshme dhe theksohet se avancimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. 

“Raporti mirëpret deklaratat e përfaqësuesve qeveritarë të dhjetë vendeve të BE-së për mbështetjen e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE si dhe vendimin e shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Anëtarët u bëjnë thirrje vendeve anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet sovran, veçanërisht Spanjës, Sllovakisë, Qipros, Rumanisë dhe Greqisë, që ta bëjnë këtë pa vonesa të mëtejshme. Pavarësia e Republikës së Kosovës është e pakthyeshme”.

Progres raporti i prezantuar nga raportuesja për Kosovën në PE, Viola von Cramon, u miratua me 44 vota pro, 8 kundër dhe 3 abstenime.

“Në momente kyçe, Kosova e ka vërtetuar që është një shtet partner I besueshëm. Ka pasur një progres domethënës në luftën kundër korrupsionit, por duhet ende punë. Shpresoj që marrëveshja e Ohrit dhe zbatimi i ujdive të kaluara në dialogun Kosovë-Serbi do të sjellë benefite për Kosovën dhe të kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, tha von Cramon.

Ndërkohë, Parlamenti Europian ka prezantuar edhe një raport kundër ndërhyrjes së huaj në Europë dhe Ballkanin Perëndimor, ku dënohet hapësira që i ka dhënë Serbia kanalit rus, Russia Today, për të përhapur dezinformimet e saj në rajonin tonë. Në dokumentin e miratuar thuhet se Moska përpiqet të krijojë tensione në Ballkanin Perëndimor, përmes ndikimit të saj në Beograd duke destabilizuar Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën. 

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos