
Ajo që ishte parashikuar me hartën e re gjyqësore tashmë është realitet.
Qytetarët e Tropojës tashmë po e provojnë se çfarë do të thotë të mos ketë një gjykatë në qytetin e tyre për të zhvilluar qoftë edhe një gjyq të thjeshtë për njohjen e viteve të punës për efekt pensioni.
Kamera e A2 kontaktoi dy qytetarë tropojanë që janë detyruar të udhëtojnë në Kukës, nëpërmjet Kosovës për të qenë të pranishëm në gjyqet për njohjen e viteve të punës.
Rruga, shpenzimet dhe pasiguria nëse do të mund të mbarojnë dot punë brenda ditës, ishin problemet e tyre.
Kjo problematikë është konstatuar edhe nga avokatët, të cilët e shikojnë shumë të vështirë marrjen e drejtësisë nga qytetarët e Tropojës.
Janë disa qindra dosje që janë transferuar nga ish-gjykata e shkallës së parë e Tropojës në atë të Kukësit, dhe po kaq qytetarë që do të duhet të udhëtojnë nga Tropoja në Kukës për të marrë drejtësisë, qoftë ajo penale, civile apo administrative. (A2 Televizion)