Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun turk, Hulusi Akar, me të cilin bisedoi rreth zhvillimeve të fundit në Siri, ku ushtria turke ka nisur një operacion kundër të ashtuquajturve militant kurdë.
Austin i shprehu homologut Akar ngushëllimet për sulmin me bombë më 13 nëntor në Stamboll, por kundërshtoi operacionin e ri ushtarak në Siri që mund të sjellë një përshkallëzim të situatës.
"Ai shprehu gjithashtu shqetësim për përshkallëzimin e veprimeve në Sirinë veriore dhe Turqi, përfshirë sulmet ajrore të fundit, disa prej të cilave kërcënuan drejtpërdrejt sigurinë e personelit amerikan që po punon me partnerët lokalë në Siri për të mposhtur ISIS-in", thuhet në një deklaratë. (A2 Televizion)