E quajnë Erling Haaland, e thërrasin njeriu i rekordeve. Sulmuesi i Manchester City ishte edhe një herë protagonist absolut për ekipin e Pep Guardiolës. Përballë Leipzig në 1/8 e Champions shënoi pesë nga shtatë golat e Citizens.
Një paraqitje që e ngriti në kuotën e 33 rrjetave në vetëm 25 ndeshje të luajtura në turneun më prestigjioz për klube. Shifra të cilat nuk i ka arritur askush tjetër. Norvegjezi 22-vjeçar theu rekordin që mbahej nga Ruud Van Nistelrooy. Bomberi holandez e kishte arritur kuotën e 30 golave pas 34 ndeshjeve të luajtura.
Më mbrapa në renditje janë emra të tjerë të mëdhenj, si Lewandowski, Messi dhe Neymar, me 46, 48 dhe 49 ndeshje. Ky që po përjeton Haaland është një sezon rekordesh. Në moshën 22 vjeç e 236 ditë, ai është edhe lojtari më i ri që e realizon diçka të tillë.
Me rrjetat e realizuara ndaj Leipzig, ai e sheh veten në kuotën e 39 rrjetave të realizuara deri më tani, nga të cilat 28 në Premier League, një në kupë dhe 10 në Champions. Në formatin modern të turneut, vetëm Luiz Adriano dhe Leo Messi kanë shënuar pesë gola në një ndeshje. Diferenca është se Haaland i’u nevojitën vetëm 57 minuta lojë, Luiz Adrianos 82 minuta ndërsa Messit 84.
Haaland është gjithashtu lojtari i vetëm i cili ka arritur kuotën e 10 golave në një edicion të Champions me fanellën e Manchester City. Sulmuesi theu gjithashtu edhe rekordin e vitit 1929, që mbahej nga Tommy Johnson për numrin më të lart të golave të realizuar me fanellën e Citizens. (A2 Televizion)