Gjendja shëndetësore e Matteo Messina Denaro është përkeqësuar. Bosi, i ndaluar në regjimin 41 bis në superburgun e L'Aquila vuan nga një tumor. Mediat italiane bëjnë të ditur se prej ditës së arrestimit ndodhet nën kurim në burg, ku i është ngritur një dhomë kimioterapie. Pas apelit të avokatit të tij, Messina Denaro u shtrua në repartin e kirurgjisë të spitalit San Salvatore nën masa sigurie.
“Duhet shtrimi në spital”, nënvizoi avokati i tij. Javët e fundit Messina Denaro i ishte nënshtruar një operacioni të vogël për probleme urologjike, por u kthye në burg gjatë ditës.
“Tani Messina Denaro nuk ha më, ai gjithashtu ka vështirësi për të pirë, ka nevojë për shtrim urgjent në spital, sepse i duhet një serum për t’u ushqyer. Situata e tij nuk është më e menaxhueshme nga struktura në të cilën ai është i burgosur nën regjimin 41bis", tha avokati mbrojtës Alessandro Cerella.
Matteo Messina Denaro u arrestua në 16 janar të këtij viti pas 30 vitesh në arrati, në një klinikë private në Palermo. (A2 Televizion)