Policia Kufitare bllokon 12 mjete lundruese në bregdetin e Jugut, gjoba të majme drejtuesve

Nga A2 CNN
6 Gusht 2023, 16:53 | Aktualitet

Aksioni i policisë kufitare të Vlorës dhe Sarandës që vijon prej nisjes së sezonit turistik në Jug të vendit, ka çuar këtë fundjavë në bllokimin e 12 mjeteve lundruese, duke përfshirë motorë uji “Jet Ski”, por edhe varka e gomone.

Pronarët e tyre apo personat që i drejtonin janë ndëshkuar me masë administrativë gjobë, që variojnë nga 10.000 deri në 100.000 lekë të rinj.

Qarkullimi i këtyre mjeteve lundruese është bërë për shkak të paligjshmërive të ndryshme, si lundrim jashtë zonës së përcaktuar, ushtrim i aktivitetit të turizmit detar në kundërshtim me ligjin, apo mosregjistrim i mjetit lundrues dhe mungesë dokumentacioni.     

Si rezultat i monitorimit të vijës bregdetare dhe të hapësirës ujore të qarkut Vlorë, me objektivin primar, garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe pushuesve, Njësia Policore Detare, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Vlorë, ka bllokuar 12 mjete të tjera lundruese, të cilat u konstatuan në paligjshmëri të ndryshme.    

-Në Radhimë, Ksamil dhe Sarandë janë bllokuar 7 mjete lundruese Jet Ski. 2 drejtues janë ndëshkuar secili me masën administrative 100 000 lekë të rinj, për lundrim/bregëzim në zonë të ndaluar; 2 drejtues janë ndëshkuar secili me masën administrative 20 000 lekë të rinj, për mosregjistrim të mjeteve lundruese brenda afatit të përcaktuar me ligj; 3 drejtues janë ndëshkuar secili me masën administrative 10 000 lekë të rinj, për mungesë të dokumentacionit në bord.           

- Në molin e portit të Vlorës janë bllokuar 2 anije turistike. Secili nga drejtuesit (kapitenët) u ndëshkua me masën administrative 100 000 lekë të rinj, për ushtrim të aktivitetit (turizmit detar) në kundërshtim me ligjin.      

-Në Gjipe u bllokua 1 mjet lundrues gomone. Drejtuesi u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni në bord.  

-Në Dhërmi u bllokuan dy skafe për mungesë dokumentacioni. Drejtuesit e mjeteve lundruese u ndëshkuan me  masë administrative me nga 10.000 lekë secili.

Njoftimi i policisë

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu