Presidenti cakton datën e zgjedhjeve vendore, mbahen më 30 qershor

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2018, 12:27 | Aktualitet

Më 30 qershor të vitit të ardhshëm, shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit pasi do të mbahen zgjedhjet vendore.

Këtë të hënë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar të dielën e fundit të qershorit për zgjedhjet e pushtetit vendor, njoftoi Presidenca.

Më 31 tetor, Presidenti Meta zhvilloi konsultime me palët për sa i përket datës së zgjedhjeve. Ai takoi për 30 minuta kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, i cili tha se bëhej fjalë për dy data, dy të dielat e fundit të qershorit.

Takimin e dytë këshillues Kreu i Shtetit e pati me kreun e grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho, sërish përreth 30 minuta. I fundit që takoi Meta ishte kreu i grupit parlamentar të LSI-së Luan Rama, me të cilin bisedoi përreth 60 minuta.

Jashtë Presidencës, numri dy i socialistëve, Taulant Balla përmendi si argument kërkesën e operatorëve turistikë.

“Zgjedhjet do të jenë mes dy të dielave të fundit të qershorit. Ne nuk propozuam një datë, por kujtuam një kërkesë të operatorëve turistikë që zgjedhjet të mos jenë afër kulmit të sezonit”, tha Taulant Balla.

Edmond Spaho hyri e doli me makinë, duke mos iu dhënë mundësi gazetarëve që të pyetej nëse partia e tij do të hynte apo jo në zgjedhje.

Ndërsa nënkryetari i LSI-së, Luan Rama tha se partia e tij kërkonte garanci për standardet zgjedhore dhe moskapjen e tyre nga krimi. “Për ne nuk është e rëndësishme një datë, por standardi i zgjedhjeve dhe ndarja e tyre nga ndikimi i bandave”, u shpreh Luan Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos