Probleme në 3 qendra votimi në Elbasan, ndërhyn policia

Nga A2 CNN
14 Maj 2023, 17:26 | Aktualitet
Probleme në 3 qendra votimi në Elbasan, ndërhyn policia

Në disa qendra votimi në Elbasan janë shënuar disa probleme. Disa vëzhgues nuk kishin mjetin e identifikimit, për procesin zgjedhor.

Policia me vendim të KQV-së ka ndërhyrë dhe pas verifikimit të situatës, vëzhguesit pa mjete identifikuese janë zëvendësuar me vëzhgues të tjerë.

Ndërsa një tjetër në lagjen 'Partizani' ka debatuar me operatoren e kësaj qendre.

Gjithashtu një person i identifikuar me iniciale E.Ll është larguar nga qendra e votimit në Bradashesh pasi dyshohet se po ndikonte te votuesit dhe kishte ndihmuar fqinjin e tij të votonte.

"-Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2422/1, në Mengel, Elbasan, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi vëzhguesit ishin paraqitur pa beixh për procesin zgjedhor dhe pa dokument identifikimi.

Punonjësit e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë ndërhyrë në Qendrën e Votimit dhe pas verifikimit të situatës, vëzhguesit që nuk kishin mjete identifikimi janë zëvendësuar me vëzhgues të tjerë.

Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas rifillimit të procesit të votimit, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.

-Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2930/01, në Bradashesh, Elbasan, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, për të larguar nga Qendra e Votimit, shtetasin E. Ll., pasi dyshohej se po ndikonte tek votuesit.

Shërbimet e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pas verifikimit ka rezultuar se shtetasi E. Ll. kishte ndihmuar fqinjin e tij për të votuar, por nuk kishte ndikuar në zgjedhjen e tij.

Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas verifikimit të rastit, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.

-Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2373, në lagjen “Partizani”, ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi njëri nga vëzhguesit e Qendrës së Votimit kishte debatuar me operatoren e kësaj Qendre.

Shërbimet e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pasi kanë sqaruar situatën, janë larguar nga Qendra e Votimit, po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit.

Për të trija rastet është vënë në dijeni edhe prokurorit i gatshëm."

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani