“Albanian Files”, Rama: Tekst auto-ironik. I janë qepur botimit si të ishte koha e Revolucionit Kulturor kinez!

Nga A2 CNN
28 Qershor 2026, 09:42 | Politikë

“Albanian Files”, Rama: Tekst auto-ironik. I janë qepur botimit

Kryeministri Edi Rama foli sot për librin “Albanian Files” që përmban projekte që synohet të ndërtohen në Shqipëri, duke theksuar se botimi është vendosur në shënjestër te inkuizicionit revolucionar të protestës. Duke u ndalur te letra e arkitektit Reinier de Graaf, ku ndër të tjera thuhet “bëhu mbret”, Rama vë në dukje se kemi të bëjmë me tekst auto-ironik dhe jo deklarata politike. Kreu i qeverisë vë në dukje se ai vetë nuk është autor por vetëm ka shkruajtur parathënien e librit.

"Ky libër quhet "The Albanian Files". Është një ndër botimet më të rëndësishme që kanë dalë në vitet e fundit në dritën e skenës së arkitekturës dhe zhvillimit urban në Europë dhe në botë. Është një botim i ri i kohëve të fundit dhe ka brenda punët, projektet, idetë dhe shënimet e 60 arkitektëve dhe studiove me një reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar, të cilat i lidh së bashku, në gjithë faqet e librit, Shqipëria. Tani nuk dua të flas për librin, por dua të flas për një inkuizicion që ka nisur lidhur me librin, një inkuizicion që buron nga fryma e bulevardit, ku protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë të tjera dhe një nga degët është pikërisht dega inkuizicionale, e cila përndjek, në thonjëza natyrisht, por jo sepse nuk përndjek, por sepse përndjek në kuptimin me fjalë, me akuza, me shpifje, një nga gjërat dhe një nga grupet më të rëndësishme që i ka ndodhur dhe që i janë qasur Shqipërisë këtyre 30 viteve, po edhe historisë së Shqipërisë", tha Rama. 

Kryeministri u shpreh se libri që është vendosur në shënjestër nga inkuizicioni revolucionar i protestës nuk është i tij dhe as i kontrolluar prej tij. 

"Njerëz të cilët, thashë, e kanë bërë emrin dhe historinë e tyre në skenën e arkitekturës botërore dhe që janë mbledhur, pavarësisht nga njëri-tjetri, në Shqipëri, siç u mblodhën dikur në Neë York, në vitet ’30, duke dhënë kontribute, të cilat, ndër të tjera, do të bëjnë që ky vend dhe vajzat dhe djemtë e këtij vendi, arkitektë, arkitekte, urbanistë, urbaniste, nesër të nxjerrin nga gjiri i tyre ndonjë emër apo më shumë se një emër shqiptari apo shqiptareje që do të shkëlqejë në skenën e botës. Sepse, ndërkohë, këtu në Shqipëri, në kryeqytet dhe jo vetëm, ne kemi universitetin më të madh dhe më prestigjioz në qiell të hapur të arkitekturës dhe zhvillimit urban, ku të gjithë profesionistët e rinj shqiptarë janë të atashuar pranë këtyre studiove dhe punojnë së bashku, mësojnë prej tyre dhe zhvillojnë talentin, dijen; rrisin, pa diskutim, ekspertizën e tyre, falë këtij bashkëpunimi. Tani, "The Albanian Files" është vendosur në shënjestër nga inkuizicioni, se s’mund ta quaj dot intelektual, se nuk është intelektual, por nga inkuizicioni revolucionar i protestës, ndërkohë që nuk është libri im dhe nuk është një botim i kontrolluar prej meje".

"Unë thjesht kam dhënë aty një kontribut me një tekst parathënës, një tekst parathënës që është, patjetër, krenari që unë, si Kryeministër i Shqipërisë, të isha i ftuar ta shkruaja dhe që, së bashku me gjithë këtë "armatë" arkitektësh dhe profesionistësh të jashtëzakonshëm, të cilët janë pedagogë në universitetet më të mira të botës, ndër të tjera; të cilët thirren për të bërë konferenca mbi arkitekturën për të rejat, për të rinjtë, për të interesuarit dhe paguhen sa qimet e kokës nëpër vende të tjera, ka ardhur si një projekt editorial tërësisht i pavarur. Është konceptuar, është kuruar nga Anneke Abhelakh dhe, siç thashë, janë kontribute të studiove që punojnë në Shqipëri dy dekadat e fundit. Është diçka fenomenale. Patjetër që ka gjëra të diskutueshme, patjetër që ka gjëra të debatueshme, të kritikueshme, çfarë të doni, por që t’i qepesh një botimi të tillë, njësoj si të ishte koha e Revolucionit Kulturor Kinez dhe, mbi të gjitha, pastaj të kapesh me një tekst, i cili është një tekst autoironik i një arkitekti që përfaqëson njërën prej studiove më të mëdha në historinë e arkitekturës bashkëkohore, studion "OMA", të themeluar dhe të udhëhequr nga legjendari Rem Koolhaas, ky është kulmi", vijoi ai. 

Rama sqaroi edhe shënimin në dosjen e arkitektit ku ai i thotë që mund të bëhet mbret dhe të bëjë atë që bënin mbretëritë për arkitekturës. Sipas kryeministrit nuk kemi të bëjmë me një thirrje reale politike, por ironi. 

"E para, që ky tekst i vënë aty, i cili në mënyrë autoironike është një letër drejtuar meje, e cila natyrisht është një letër që mua s’më ka ardhur, se s’kishte as pse të më vinte, është shënim në dosjen e arkitektit, ku më thotë: "Pse duhet të bëhen dhe zgjedhje? Ti mund të bëhesh mbret dhe të bësh atë që bënin mbretëritë për arkitekturën..." e të tjerë, e të tjerë. Çështje dilemash dhe problematikash që s’kanë lidhje fare me ndonjë thirrje reale për t’u bërë mbret, është kthyer kokëposhtë, por tregon që, në fakt, libri është tërësisht i lirë, i pakontrolluar". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos