
Ndërkohë që sot protesta hyn në ditën e 29-të, kryeministri Edi Rama bëri një dallim mes njerëzve që kanë halle reale dhe atyre që i përdorin këto probleme si karburant për të ushqyer protestën dhe rrëmujën.
Gjatë podkastit "Flasim" Edi Rama u shpreh se pas nxitjes së vazhdueshme të tensioneve qëndrojnë individë, organizata dhe aktorë jashtë vendit që nuk synojnë zgjidhjen e problemeve, pasi kanë nevojë të mbajnë gjallë zemërimin dhe përçarjen.
Duke iu referuar mesazhit të një qytetari me emrin Amos, Rama u shpreh: “E kuptoj që kur gjëja vjen te vetja, ka arritur fundi i durimit, por, nga ana tjetër, nuk duhet lejuar që një hall i drejtë të bëhet lëndë djegëse për ata që vazhdojnë e ushqejnë këtë protestë, vazhdojnë e ushqejnë këtë rrëmujë, më shumë shpirtërore sesa fizike, duke bërë dëm pas dëmi, jo duke ndihmuar që gjërat të zgjidhen. Ata janë njerëz që ushqehen me problemet e të tjerëve dhe janë njerëz, janë subjekte, janë organizata, janë edhe aktorë të tjerë jashtë vendit që ushqehen me problemet e të tjerëve. Problemi juaj dhe i gjithë atyre si ju që shkojnë atje ose që janë të lidhur me atë gjë, nuk është që "t'i jepni karburant" politikës apo qëllimeve të tyre, sepse ata nuk kërkojnë zgjidhje. Ata kanë nevojë që zgjidhja të mos vijë kurrë, sepse ata duan të mbajnë gjallë zemërimin, përçarjen dhe iluzionin që çdo plagë e një qytetari është prova se këtu duhet rrëzuar gjithçka dhe Shqipëria duhet të fillojë nga e para”, vijoi kryeministri.
Kreu i qeverisë theksoi se zgjidhjet do të vijnë nga ata që e kanë për detyrim të fikin çdo vatër halli, duke i qëndruar mbi kokë, dhe jo nga ata që duan të ndezin zjarret e zemërimit.
“Unë kam detyrimin të dëgjoj njeriun, por të mos bëhem peng i atyre që flasin në emrin tënd. Unë e shoh protestën e njerëzve të ndershëm, e njerëzve që nuk janë "karburant" për industrinë e halleve, si një gjë shumë të respektueshme, shumë të mirëkuptueshme dhe revoltuese për mua; tek unë ajo funksionon. Njëkohësisht, do t'ju kërkoja diçka të gjithëve ju që jeni në këtë situatë: mos e falni hallin tuaj askund. Mos ia falni administratës dhe, nëse keni nevojë për mua, unë jam këtu të luftoj bashkë me ju, por mos ia falni në asnjë mënyrë atyre që duan t'i çojnë gjërat mbrapsht duke përdorur hallin tuaj. Sepse zgjidhjet kurrë nuk vijnë nga njerëzit që ndezin zjarrin e zemërimit, por nga ata që, pavarësisht të gjitha mangësive dhe gabimeve, mbajnë detyrimin për të "fikur" çdo vatër halli, duke i qëndruar mbi kokë”, u shpreh ai. (A2 Televizion)