Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me urgjencë zhvilloi një konferencë për shtyp. Fillimisht nxitoi që të rrëzonte akuzat e qeverisë së Kosovës se shteti i tij qëndron pas sulmit terrorist në Zubin Potok, ndërsa zbuloi se kishte ndjekur me shumë vëmendje çdo lëvizje apo deklaratë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe anëtarëve të kabinetit të tij, madje edhe të ndërkombëtarëve.
Vuçiç madje u përpoq që ta ndryshonte narrativën me pretendimin se “që nga e shtuna ka pasur një tentativë për një sulm të madh dhe të ashpër hibrid ndaj Serbisë”.
Presidenti serb konfirmoi se shteti i tij po kryen hetime për sulmin terrorist në Zubin potok.
“Prishtina pretendon se është bërë nga pjesëtarë të Brigadës së Veriut apo të mbrojtjes civile, prandaj Serbia është përgjegjës sepse dihet që i financon Beogradi. Askush nuk do të krijonte një strukturë të tillë. Ne si shtet serioz nuk jemi marrë me akuzat, nuk do të them se sulmi është urdhëruar drejtpërdrejt nga Kurti, pasi hetimi do të tregojë. Kemi dyshime të caktuara, por hetimi do të konfirmojë se kush e ka dhënë urdhrin. Mendojmë se kemi informacione të caktuara dhe kush mund të jetë autori. Ne do të vazhdojmë të punojmë fort, kur të jemi të sigurt se do ta njoftojmë publikun”, tha President i Serbisë.
Ai ofroi bashkëpunim me EULEX dhe KFOR-in, madje edhe me qeverinë e Kosovës për zbardhjen e rastit. (A2 Televizion)