Nikollë Camaj, i pari nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi nga komuniteti I shqiptarëve atje, në një intervistë është shprehur se ky është një moment mjaft i mirë për faktorin shqiptar në mal të Zi për të treguar se janë atje dhe për të vendosur standarde të reja.
“Ajo që them gjatë gjithë kohës është se kemi mundësi të mëdha për të vepruar tani. E vetmja gjëja që kemi mundësi më të vogël është mundësia për t'ua lënë fajin të tjerëve. Tani kemi marrë përgjegjësinë vetë dhe duhet të veprojmë më shumë. Ajo që po bëjmë ne, po bëj edhe unë si nënkryetar i Parlamentit, është që të vëmë standardet e reja në raportet mes shqiptarëve e malazezëve”, tha Camaj, shkruan A2 CNN.
Ndikim serb në Malin e Zi, për Camajn ka qenë gjithnjë i pranishëm dhe mund të frenohet vetëm me përshpejtimin e integrimit të Malit të Zi në BE. “Çështja është se disponimi i qytetarëve të Malit të Zi me afër tetëdhjetë e pesë për qind është proevropian. Në qoftë se edhe Evropa na e qetë pak dorën dhe nuk na fut në të gjitha filtra, unë mendoj se Mali i Zi ka shanse fort të mira t'i shmanget kësaj influence. Përndryshe, natyrisht se influenca dhe tentativa për të ndikuar nuk mungon dhe nëse ne jemi të dobët dhe Evropa nuk na jep hapësirë, atëherë kam frikë se kjo influencë mund të rritet dhe mund të ketë ndikim në realitetin malazez”, tha Camaj.
Camaj fillimisht u zgjodh deputet në parlamentin e Malit të Zi nga Forumi Shqiptar si përfaqësues i Lidhjes Demokratike Shqiptare dhe më pas u zgjodh zëvendëskryetar i Parlamentit malazez me 43 vota. (A2 Televizion)