
Rreth 12 mijë persona janë evakuuar nga jugperëndimi i Francës, ndërsa vendi vijon të përballet me zjarre të fuqishme, vetëm pak ditë pasi dy zjarrfikës humbën jetën pranë aeroportit të Bordeaux, raportojnë mediat franceze.
Autoritetet e rajonit të Girondës bëjnë të ditur se flakët kanë shkrumbuar më shumë se 2,400 hektarë tokë.
Për shkak të rrezikut të lartë, është ndaluar qarkullimi i mjeteve me motorë me djegie të brendshme dhe elektrikë në zonat kryesisht pyjore, ndërsa disa akse rrugore janë mbyllur. Deri të enjten nuk raportohej për persona të lënduar.
Ndërkohë, në Itali, autoritetet i bënë homazhe një zjarrfikësi që humbi jetën gjatë shuarjes së një zjarri në San Cataldo. Presidenti i Rajonit të Siçilisë, Renato Schifani, i uroi një "shërim të shpejtë" një zjarrfikësi tjetër të plagosur në të njëjtin operacion.
Edhe ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, nderoi kujtimin e zjarrfikësit Alessandro Marchi, duke theksuar se ai humbi jetën "në shërbim të komunitetit".
"Ai nuk do të harrohet", shkroi Piantedosi në një postim në platformën X. Sipas një përditësimi të publikuar të mërkurën nga kreu i Mbrojtjes Civile të Siçilisë, Salvo Cocina, në ishull janë regjistruar mbi 350 zjarre, mes tyre dhjetë vatra të mëdha, që kanë detyruar autoritetet të kryejnë evakuime parandaluese.
Cocina tha se zjarret janë shkaktuar nga veprimtaria njerëzore, duke theksuar se fenomeni është shndërruar tashmë në një problem shoqëror dhe të rendit publik.
Ndërkohë, në Francë, agjencia AFP raportoi se mes rreth 12 mijë të evakuuarve ndodheshin edhe 10 mijë turistë.
(A2 Televizion)