Mali i Zi hyn në BE brenda 2027-s? Greqia do të përshpejtojë procesin për Podgoricën

Nga Rosalba Bejdo
19 Qershor 2026, 14:43 | Ballkani

Qeveria greke po eksploron mënyra për të përshpejtuar integrimin e Malit të Zi në Bashkimin Europian gjatë presidencës së saj të Këshillit të Bashkimit Europian në gjysmën e dytë të vitit 2027.

Sipas burimeve qeveritare, të cituara nga Euractiv, Greqia, e cila merr presidencën në korrik të vitit 2027, synon të ndihmojë të paktën një vend të Ballkanit Perëndimor të anëtarësohet në BE. Sipas të njëjtave burime, Mali i Zi shihet si një kandidat më realist sesa Shqipëria apo Serbia, shkruan A2 CNN.

Zyrtarët në Athinë këmbëngulin, ndër të tjera, se popullsia e Malit të Zi, prej rreth 600 mijë banorësh, do të sillte kosto relativisht të ulëta ekonomike dhe politike për Bashkimin Europian.

Mali i Zi i ka nisur negociatat e anëtarësimit që në vitin 2012 dhe konsiderohet zyrtarisht nga Parlamenti Europian si shteti më i avancuar drejt anëtarësimit. Ai ka hapur 33 kapituj negociues dhe ka mbyllur përkohësisht 14 prej tyre.

Ndërkohë, Shqipëria ka hapur zyrtarisht të gjithë kapitujt negociues dhe sapo ka hyrë në fazën vendimtare të mbylljes së përkohshme të tyre.

Megjithatë, jo të gjitha shtetet anëtare janë të gatshme të përshpejtojnë procesin.

“Në teori, të gjithë bien dakord se rajoni e ka vendin në Bashkimin Europian, por kur diskutimet kalojnë te hapat konkretë, disa qeveri ngrenë pengesa, duke përmendur shpesh çështje teknike dhe shqetësime lidhur me metodologjinë e anëtarësimit”, tha një diplomat i BE-së për Euractiv. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos